I rritur me Canën & Ibrën si shembuj, rrugëtimi i Indrit Tucit nga moshat te Lokomotiva Zagreb

Pasioni për futbollin është mjaft i madh në familjen e tyre. I pari që tentoi të bëhej futbollist ishte Igli, vëllai i tij, pjesë e Laçit deri me skuadrën e të rinjve. Gjithsesi ëndrrën e tij e ka realizuar vëllai i tij, Indrit Tuci. Sulmuesi, i cili në shtator ka bërë 21 vjeç, ka spikatur në Kroaci me Lokomotiv Zagreb dhe ia doli të fitonte një vend edhe te Shqipëria U21.

Trajneri Alban Bushi e njihte mirë, pasi e kishte stërvitur tek Akademia e Futbollit, nga edhe u zbulua nga kroatët. Tuci ka folur në rubrikën “Talenti shqiptar” në “fshf.org” dhe tregon si nisi rrugëtimi i tij në futboll, ëndrrën e madhe që ka, idhujt, ndjenjën që ka një lojtar kur luan në zhurmat e merkatos, sikurse edhe shumë gjëra të tjera.

Indrit, si ka nisur dashuria juaj për futbollin? Sa vjeç ishit kur topi u bë i pandashëm për ju dhe kush ju shtyu më shumë drejt këtij sporti?

Dashuria për futbollin ka lindur në moshën 6-vjeçare, duke luajtur në lagjen time me shokët e fëmijërisë. Babai më pa dhe vendosi të më dërgojë tek ekipet e moshave të Laçit.

Na tregoni pak rrugëtimin tuaj, si shkuat deri te Lokomotiv Zagreb?

Drejtuesit e Lokomotiv Zagreb kishin dërguar “scout” në Shqipëri. Ata kishin ardhur për të parë disa lojtarë dhe më zgjodhën mua dhe dy të tjerë për një provë një-mujore në Kroaci. Atje u paraqita mjaft mirë dhe vendosën të më mbanin tek ekipi i 19-vjeçarëve dhe për të kaluar me ekipin e parë pas 6 muajsh.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

Gjithmonë ka qenë babai im ai që më këshillon pas ndeshjeve, që në fëmijëri. Ai i mban mend rastet dhe aksionet më mirë se unë dhe gjithmonë pas ndeshjeve më thotë çfarë bëra gabim dhe mirë.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-21? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

Ftesa e parë është gjithmonë më e bukura. Trajnerin Alban Bushi e kam pasur trajner tek U17 me Akademinë e Futbollit. Kur më futi në lojë me tha “luaj dhe argëtohu siç ke bërë me U17”.

Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

Mbarimi i sezonit 2019/2020 në Kroaci. Dolëm në vendin e dytë dhe finalistë të Kupës. Ishte sezon për t’u mbajtur mend gjithë karrierën. Është ndër momentet më të bukura deri tani.

Si sulmues që jeni, ka ndonjë gol që ju ka mbetur më shumë ne mendje dhe nuk e harroni?

Goli me Shqipërinë U-21 kundër Austrisë U-21 në fitoren 5-1 në Austri. Është ndër golat më të bukur që kam shënuar. Të realizosh me fanellën e kombëtares është ndjenjë tjetër me atë të klubit.

Si ka qenë për ju të kaloni nga një akademi e vendit tonë në Kroaci? Ishte e vështirë për ju të përshtateshit në Kroaci? 

Në fillim ishte e vështirë, për shkak të gjuhës, jetesës dhe ritmit të futbollit, që ndryshon me atë të Shqipërisë. Gjithsesi u ambientova shpejt.

Si është për një të ri, në hapat e parë të karrierës, të luajë nën zhurmën e zërave të merkatos?

Nuk është e lehtë. Kisha një moment mjaft të mirë në sezonin 19/20 dhe kishte shumë zëra që mund të lëvizja. Është e vështirë të fokusohesh në fushë, por klubi beson tek unë që mund të bëj dhe më mirë dhe nuk kisha dëshirë të largohesha pas kaq pak kohësh.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

Lorik Cana ka bërë karrierë të madhe dhe gjithmonë ka qene kryesori në kombëtaren tonë. Jam rritur duke e parë. Lojtari i huaj është Zlatan Ibrahimovic. Gjithmonë e shikoj dhe mundohem t’i mësoj çdo lëvizje që ai bën.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Synimi im është të luaj në Seria A. Besoj që është kampionati më i bukur dhe më i përshtatshmi. Jam rritur duke e shikuar që i vogël dhe ajo është ëndrra ime më e madhe .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *