Mirlind Daku është sulmuesi i momentit në këtë sezon, ku ka shpërthyer në mënyrë të frikshme me golat e tij. Plot 20 gola mbajnë firmën e tij në 11 paraqitje me fanellën e Ballkanit. Shifra të tilla padyshim që e bëjnë sulmuesin shiptar të ndihet krenar, ndërsa në një prononcim të dhënë për mediat në Kosovë pas ndeshjes së sotme nuk e fsheh dëshirën për të shënuar njëherë e përgjithmonë emrin e tij në arkivën e futbollit të Kosovës. Ndërkohë forma e tij fantastike ka ngjallur interesin e shumë skuadrave, por Daku zbulon se ofertat e mbërrituara deri më tani janë larg vlerës së tij reale dhe nuk e shtyjnë aspak të largohet nga Ballkani.
“Është një ndenjë e jashtëzakonshme, kur puna që di të bësh më së miri të shpërblehet. Jam tepër i kënaqur që kam arritur të shënoj 20 gola, gjë të cilën nuk e ka bërë askush më parë për kaq ndeshje. Nuk e kam mendjen te rekordet. Po i marr ndeshjet një nga një dhe të vazhdoj me gola. Kur të vjen rekordi normalisht që kam qejf të shënohet emri im përgjithmonë në arkivin e futbollit të Kosovës.
Ka pasur oferta nga disa skuadra por unë dua t’i qëndroj besnik Ballkanit deri në fund të kampionatit. Nëse vjen ndonjë megaofertë, mund ta diskutojmë, por me këto oferta që m’i kanë treguar deri tani nuk dua të largohem”, ka deklaruar Mirlind Daku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/