I cilësuar si një nga më të mirët dhe i ardhur me bujë të madhe në Madrid për të mbyllur atë boshllëk që krijoi largimi i Ronaldos drejt Juventusit, Eden Hazard nuk ka arritur të përmbushë as gjysmën e pritshmërive që të gjithë patën për të. Kanë kaluar afërsisht 3 muaj me fanellën e bardhë të gjigantëve spanjollë, megjithatë ende nuk kemi parë më të mirën prej sulmuesit belg. Shumë arsye janë dhënë në lidhje me rendimentin e ulët të Hazard, duke nisur që nga ndërrimi i ambientit apo përshtatja me një kulturë tjetër e deri te kilet e tepërta që e shoqëruan në rrugëtimin e tij në Madrid.
Por një përgjigje mund të vijë nga ish-shoku i tij i skuadrës te Chelsea, Obi Mikel, i cili ka zbuluar një tipar tjetër të Hazard, që është dembelizmi. Kështu e kujton lojtari i Trabzonsporit sulmuesin belg në seancat stërvitore që zhvillonin me blutë e Londrës, duke bërë të ditur se Eden Hazard me zor priste të përfundonte stërvitja, megjithëse në ndeshjet zyrtare zbriste në fushë për të dhuruar spektakël dhe gjithçka nga vetja për t’i ardhur në ndihmë ekipit.
“Hazard ka një talent të pabesueshëm. Atij nuk i pëlqente të stërvitej shumë. Ndërkohë që ne punonim ai thjesht na priste ne të mbaronim stërvitjen vetëm duke qendruar atje. Por të dielën, në mënyrë të pabesueshme, ishte gjithnjë lojtari më i mirë në fushë”, ka qenë përgjigja e nigerianit kur i është kërkuar të jepte emrin e lojtarit më përtac me të cilin ka luajtur ndonjëherë.
Por ndoshta ky dembelizëm i tij në stërvitjet e ekipit është duke dhënë frytet e veta në këto momente, teksa futbollisti i Madrilenëve nuk po jep më të njëjtin shkëqim si më parë në fushën e lojës./Sport Ekspres/