Partizani ka dalë triumfues nga “Air Albania”. Të kuqtë kanë fituar me rezultatin 2-0 derbin e zjartë të kryeqytetit kundër Tiranës. Mba zhbllokoi sfidën në minutën e 20, ndërsa Tedi Cara shënoi të dytin në minutën e 80. Dy gola që në fund vlejnë tre pikë për Partizanin, i cili shkon kështu në krye të renditjes me pikë të barabarta me Tiranën. Pas përfundimit të derbit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport”.
Shehi (Tirana): “Në derbi që situata të tilla janë të pranishme, megjithëse nuk duam që lojë efektive të ketë pak. Ose kur merrnim lojën nën kontroll ndërpritej ndeshja. Kemi marrë një gol të parë të evitueshëm. Futbolli është lojë gabimesh. Patëm edhe dy raste të tjera që Partizani na rrezikoi. Goli i dytë pastaj është një aksident që mund t’i ndodhi të gjithëve. Mund ta kishim zgjidhur më mirë, duke ndryshuar krahët më shpesh, duke kërkuar nga krahët për të gjetur thellësinë. Në derbi nuk ka shumë situata, kush i zgjidh episode del fitimtar. Po të shohësh golin e parë, kemi qenë me tre qendra dhe përsëri kemi marrë golin nga ajri. Na mungon Kristali (Abazaj). Duke mos pasur dy sulmues të mirëfilltë nuk mund ta ndërtojmë dot lojën nga ajri, do e ndërtojmë nga poshtë. Kërkojmë që të jemi gjithmonë në kontakt me topin. Por herë pas here bëhet e vështirë për të marrë vendime”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/