“Zoti” i futbollit, ose të paktën kështu e pëlqen ta quajë Zllatan Ibrahimoviç veten e tij, po mendon seriozisht t’i japë fund karrierës së tij në këtë sport, të cilit i ka dhënë vërtet shumë.
Pas përfundimit të kontratës me LA Galaxy, shumë klube u përfolën për të marrë shërbimet e tij, ndër të cilat renditej edhe emri i ekipit të Bolonjës. Por ka qenë vetë drejtori sportiv i këtyre të fundit, Ëalter Sabatini që i ka habitur të gjithë me këtë deklaratë. Sabatini tregon se Bolonja do të shfrytëzojë gjithë mundësitë e saj për të sjellë në skuadër 38-vjeçarin , por ky i fundit po mendon të varë këpucët në gozhdë.
“Kam folur me Mihajloviç dhe më tha se Ibrahimoviç po vendos për të ardhmen e tij, gjithashtu edhe për një tërheqje të mundshme. Ka një raport të veçantë dhe personal mes Mihajloviç dhe Ibras. Klubi nuk ka bërë gjë për momentin, por nëse ka një mundësi do të veprojë ashtu siç duhet. Tani jemiduke pritur vendimin që do të marrë lojtari, pasi po reflekton edhe mbi një tërheqje të mundshme”, ka thënë Sabatini./Sport Ekspres/