“FSHF më ka përkrahur jo vetëm si lojtar, merita i takon Dukës”! Besart Berisha: Shqipëria e ka rritur infrastrukturën

Edicioni i radhës i kursit për trajnerë të licencës “UEFA A”, që është edhe niveli i dytë për nga rëndësia e licencave të një trajneri, ka nisur në fillim të muajit janar dhe do të zgjasë për 6 muaj me një program e kurrikul të përgatitur nga UEFA në bashkëpunim me Sektorin e Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Në këtë edicion marrin pjesë shumë emra të njohur, të cilët kanë një karrierë të pasur si futbollistë e tashmë kanë vendosur të vijojnë të punojnë në botën e bukur të futbollit në rolin e trajnerit.

Një prej tyre është edhe Besart Berisha, ish-futbollist i njohur i Kombëtares shqiptare, i cili po ndjek studimet për t’u pajisur me licencën e trajnerit UEFA A dhe vlerëson shumë punën që po bën FSHF përmes Sektorit të Edukimit në formimin e profesionistëve.

Pasi la futbollin e luajtur dy sezone më parë Berisha po punon për të marrë sa më shumë eksperiencë si trajner për të pasur mundësi në të ardhmen që të bëhet një teknik i suksesshëm futbolli.

“Aktualisht jam i përqendruar vetëm te ndjekja e kurseve për marrë licencat e trajnerit, në mënyrë që të përgatitem sa më mirë për të punuar së shpejti si trajner. Pasi e mbylla me futbollin e luajtur 2 vite e gjysmë më parë, tani po merrem vetëm me formimin si trajner për t’u pajisur me licencat e UEFA-s dhe për t’u përgatitur maksimalisht si trajner. Jam shumë i kënaqur me organizimin dhe me punën që po bën FSHF-ja me kursin e trajnerëve, lektorët janë shumë profesionale dhe na përgatisin më së miri përmes leksioneve për sfidat që do të kemi në këtë profesion në të ardhmen”, – thotë ish-sulmuesi kuqezi në një intervistë për Fshf.org.

Berisha gjithashtu shprehet i kënaqur me nivelin e kursit, ndërsa është i bindur për të vazhduar më tej në formimin e tij edhe me licencën UEFA Pro, që është edhe niveli më i lartë për një trajner e me të cilën mund të drejtoje çdo lloj skuadre nëpër botë.

“Kurset e FSHF-së për trajnerë janë të një niveli shumë të lartë, personalisht jam shumë i kënaqur me profesionalizmin që kam gjetur këtu, besoj dhe shpresoj që të gjitha pjesëmarrësve në kurs kjo eksperienca na ndihmon shumë në punën tonë dhe na përgatit për sfidat që na presin. Pasi të kem marrë licencën UEFA A unë synoj të vazhdoj procesin e formimit për të zotëruar edhe licencën UEFA Pro në të ardhmen, sepse kam dëshirë të aktivizohem si trajner me një skuadër të nivele të larta dhe hap pas hapi me përvojën që do të përftoj si trajner edhe me licencën UEFA A të kem mundësi të ngjis shkallët e karrierës”, – shton ish-futbollisti i njohur.

Kursi UEFA A aktualisht po zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, një investim madhor që ka transformuar infrastrukturën sportive e që ofron kushte të shkëlqyera stërvitjeje dhe pune për të gjitha ekipet Kombëtare apo edhe për Sektorin e Edukimit. Duke parë këtë transformim Berisha vlerëson punën e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe mbështetjen e madhe që i jep futbollit shqiptar në vazhdimësi.

“Më pëlqen shumë mënyra se si është zhvilluar infrastruktura këtu, ka një ndryshim të madh krahasuar me periudhën kur unë isha futbollist i Kombëtares. Më vjen shumë mirë kur shoh këtë zhvillim kaq të madh të FSHF-së dhe njëkohësisht dua ta falënderoj FSHF-në pasi gjithmonë më ka përkrahur, jo thjeshtë si lojtar, por tashmë edhe si trajner që po formohem me kurset profesionale. Arritja është absolutisht edhe një meritë e Presidenti të FSHF-së, Armand Duka, dhe besoj që ka bërë një punë shumë të madhe për FSHF-në”, – thekson Besart Berisha në prononcimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *