Derbi i kryeqytetit ka nisur me një atmosferë të jashtëzakonshme në shkallët e stadiumit. Teksa pritej shkelmimi i parë i topit, tifozëritë përkatëse kanë nisur duelin mes tyre në tribuna. Bëhet fjalë për derbin e koreografive, që gjithmonë është në lartësinë e duhur.
Tifozët e Partizanit kanë mbajtur të gjithë karta të kuqe në duar, ndërsa kanë shpalosur një pankartë dashurie për klubin e tyre të zemrës. “Partizanin nuk e ndërroj me asnjë ekip në botë”, shkruhej në banerin e hapur nga “Ultras Guerrils”, që gjithashtu shpalosën edhe imazhin e legjendës së Partizanit, Panajot Panos.
Ndërkohë në krahun tjetër, “Tirona Fanatics” i janë kundërpërgjigjur me… Tufinën. Tifozët e Tiranës u kanë kujtuar rivalëve të përjetshëm pozicionin ku ndodhet stadiumi i ri i ekipit të tyre, ndërsa në koreografinë e tyre dominojnë ngjyrat karakteristike, ato bardheblu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/