“Formati me 10 skuadra nuk prodhon dot ekipe elitare“, Stefa flet edhe për Kombëtaren: Mund të mendoni që luajtëm mirë me Poloninë, por humbëm 4-1

Gjergji Stefa ka folur për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” përmes një lidhjeje paralele, ku ka dhënë mendimin e tij mbi formulën e zgjedhur për organizmin e kampionatit shqiptar. Sipas tij, formula me 10 skuadra nuk krijon mundësinë që të prodhohen ekipe elitë dhe që bëjnë diferencën në krahasim me të tjerat. Në fund, Stefa ka prekur edhe temën e Kombëtares. Gazetari i “Supersport”-it është shprehur se Polonia është dukshëm favorite në përballjen e 27 marsit, ku shpreson për një barazim nga kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo.

“Nëse do kemi një kampionat anglez me 10 skuadra, a mendoni se mund të gjejmë një skuadër që mund të imponohet? Mendoj që autorët dhe vetë skuadrat e futbollit, së bashku me Federatën, kanë zgjedhur për të zhvilluar një kampionat në një formulë që mua më duket e papërshtatshme, por atyre u duket shumë e përshtatshme. Kjo lloj formati me 10 skuadra dhe 4 faza, nuk prodhon dot skuadra elitare apo lokomotiva.

Në vitin 2006 Oto Bariçi shkoi pa asnjë ndeshje miqësore, vetëm një test të vogël me San Marinon, dhe barazoi me Bjellorusinë 2-2. Dukshëm nuk jemi në avantazh për ta fituar apo barazuar atë ndeshje. Polonia është skuadër e vazos së parë. Ndeshjen e fundit që luajtëm në Varshavë, dikush mund të mendojë që kemi luajtur mirë, ndoshta është e vërtetë, por kemi humbur 4-1. Një rezultat i keq. Por shpresoj shumë që në ato 90 minuta ne të japim më shumë se 150%, ta gjejmë Poloninë në një ditë të dobët dhe pse jo, të arrijmë të marrim një pikë që do të jetë shumë shpresëdhënëse për fazën eliminatore“, ka thënë Gjergji Stefa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *