“Fitorja 5-1? Ndoshta e shijojnë më shumë tifozët“, Egbo rrëfen derbin e preferuar: Fitorja e parë ka pasur më tepër emocion

Të premten rikthehen emocionet e derbit të kryeqytetit. Tirana-Partizani është padyshim sfida më e rëndësishme e futbollit shqiptar, megjithëse këtë herë tifozët e të dyja skuadrave do të mund ta shohin vetëm nëpërmjet ekranit të televizorit, pasi situata me pandeminë Covid-19 e ka bërë të pamundur mbushjen e stadiumeve.

Në një intervistë për “Sport News“ në “News 24”, Emanuel Egbo ka folur më tepër mbi derbin e ardhshëm. Këtë herë trajneri nigerian nuk do të jetë i ulur në stolin e bardhebluve, por ndeshjen do e shijojë në rolin e tifozit. Egbo shprehet se derbin e fiton ai që gabon më pak, ndërsa në 3 përballjet që ka bërë kundër Partizanit sezonin e shkaur veçon fitoren e parë me shifrat 1-2 dhe jo 5-1 e famshëm. Gjithashtu ish-trajneri i Tiranës shprehet se ka mbetur i befasuar nga mbështetja e madhe e tifozëve që ka përjetuar kohët e fundit, madje duke marrë përgëzime dhe nga ata kundërshtarë të “demave të kuq“.

Derbi

“Sezonin e kaluar kemi arritur të marrim 2 fitore dhe një barazim në 3 ndeshjet e fundit. Këtë herë jam kurioz të shoh si do jetë, sepse e kam fituar edhe si lojtar edhe si trajner, ndërsa tani do e shikoj si tifoz. Është një ndjesi tepër e veçantë. Nuk e di në çfarë gjendje është ekipi dhe çfarë motivimi kanë nga fizikisht dhe psikologjikisht. Duke qenë afër mund të them se kështu mendoj se do shkojë ndeshja. Nuk jam aty. Vetëm ai që është brenda ekipit mund ta ndjejë si do jetë si ndeshje. Por gjithmonë derbi është derbi. Nuk ka rëndësi cili ekip është më i mirë ose në formë, fiton ai që gabon më pak, që është i motivuar më tepër”.

Fitorja 5-1

“Si ish-fubollist dhe si trajner mua më interesojnë 3 pikët. Ndoshta e shijojnë më shumë tifozët atë 5-1. Për mua më e rëndësishme ka qenë ndeshja e parë që e fituam 2-1, edhe për nga mënyra se si e fituam atë ndeshje. E fituam në shtesë, në minutën e 90 e ca. Ajo është më e bukur, duke parë që ka qenë ndeshja e parë pas 6 vitesh që Tirana fitonte ndaj Partizanit. Ajo ka qenë ndeshje me më tepër emocion se sa 5-1”.

Derbi apo kampionati?

“Nuk e di si mund ta ndaj. Për tifoët është më mirë të fitosh derbin se sa kampionatin. Ne si trajnerë mendojmë ta fitojmë edhe derbin edhe kampionatin. Fitimi i kampionatit nuk zëvendësohet me asgjë. Është një ndeshje, vetëm 3 pikë janë brenda. Mund të humbasësh një derbi dhe prapë ta fitosh kampionatin. Për mua kampionati është objektivi kryesor për të cilën është ndërtuar ekipi. Në derbi ka edhe 3 ndeshje të tjera”.

Tifozët

“Jam befasuar nga reagimi i tyre. Nuk e dija që kisha kaq dashamirës. Jam i befasuar edhe nga disa gjëra që kanë ndodhur. Madje kam parë që kur eci në rrugë tifozë të Partizanit apo ekipeve të tjera më përshëndesin. Kjo është arritje që nuk ka ndodhur me mua as kur kam qenë lojtar. Po e shoh tani se të gjithë kanë respekt për mua për atë që kemi arritur”, ka deklaruar Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *