Igli Tare është drejtori sportiv më i mirë në Seria A, ndërsa që prej dy vitesh po shpallet i tillë në Itali. Çelësi i suksesit të tij janë futbollistët me potencial që i spikat duke i blerë me pak lekë dhe më pas shiten me shifra të mëdha për të gjeneruar para në të ardhurat e klubit lacial.
Këtë herë vështrimi është hedhur te Vedat Muriqi. Ky i fundit është një nga sulmuesit më në formë në Turqi, aqsa u përfol se çmimi i kartonit mund të mbërrinte deri në 90 milionë euro, me shifrat e ekzagjeruara dhe përtej imagjinatës.
Por në ditët e fundit dhe kur llogjika ishte më e ftohtë, klubi turk u shpreh se kartoni i Muriqit vlen afërsisht tek 20 milionë euro. Tare i ka bërë ofertën Fenerbaçes sipas asaj që raportojnë mediat italiane dhe bëhet fjalë për një shifër qesharake, që nuk i afrohet pretendimeve. Bëhet fjalë për vetëm 8 milionë euro, që është dyfishi i vlerës së blerjes nga Fenerbaçe te Rizespori, por mbetet shumë larg asaj që kërkohet dhe refuzimi do të jetë i menjëhershëm. /Sport Ekspres/