Nelson Weiper është 17-vjeçari që po merr disa minuta me ekipin e parë të Mainzit në Bundesligë. Këta të fundit ndodhen në luftë me objektivin për të siguruar Europën pasi gjenden në vendin e 7 të Bundesligës. Sulmuesi arriti të shënonte në ndeshjen ndaj Mounchengladbach, ku pavarësisht se u aktivizua në minutën e 85, tundi rrjetën në minutën e 93. Por Weiper, pavarësisht mbiemrit të tij, ka origjinë shqiptare. Ky futbollist ka lindur në Mainz në vitin 2005 dhe ka dy shtetësi për shkak të prindërve të tij. Babai i Weiper është gjerman, ndërsa nëna e tij është nga Shqipëria. Por për Nelson Weiper nuk ka pasur kurrë diskutim sa i përket Kombëtares.
Sulmuesi që ka shpërthyer me gola te të rinjtë e Mainz dhe që tani ndodhet në ekipin e parë, ka luajtur gjithmonë me të rinjtë e Gjermanisë. Shumë më ndryshe nga vëllai i tij, Henrik Weiper. Ky i fundit nuk kishte një karrierë kaq të madhe duke luajtur me Offenbach dhe tani është pjesë e Brown Bears në SHBA. Henrik Weiper ka qenë më parë pjesë e të rinjve të Kosovës dhe në qershor të 2022 u ftua nga Shqipëria U-21, por portieri nuk u aktivizua. Historia vazhdon me dy vëllezër që ndajnë Kombëtaret e tyre, ku ai me karrierë më pak premtuese zgjedh gjithmonë “me zemër”. /Sport Ekspres/