Ndeshja më e rëndësishme e ditës së sotme do të luhet në mbrëmje mes Belgjikës dhe Portugalisë. Njëra prej këtyre Kombëtareve do t’i jap lamtumirën Europianit përpara kohe dhe pa siguruar çerekfinalen, megjithëse të dy këto ekipe mund të arrinin fare mirë atje nëse do të përballeshin me rivalë të tjerë.
Në media është komentuar Belgjikë-Portugali si një Lukaku-Ronaldo, por në fakt është më shumë De Bryune-Ronaldo. Mjafton vetëm që të shohim pak ndeshjet e grupeve për të kuptuar të vërtetën. I vetmi kundërshtar serioz për Belgjikën në tre takimet e grupit ishte Danimarka.
Në Kombëtaren e yjeve që kanë gjithë potencialin për të fituar Europianin, danezët i treguan problemet.
Një Poulsen që arriti të shënonte në minutën e 2 dhe pafundësisht raste të krijuara në 45 minutat e para treguan qartësisht se niveli i mesfushorëve dhe sulmuesëve te Belgjika nuk është i njëjti me mbrojtjen. Alderëierield, Vertogen dhe Jason Denayer nuk mund të jenë të pakalueshëm kur vjen ora e së vërtetës.
Danimarka do të tentonte 21 goditje drejt portës në atë ndeshje dhe kjo mjafton për të kuptuar sesa lehtë mund të depërtosh te Belgjika. Për të kaluar edhe te tema tjetër e diskutimit: “Belgjika e varur nga Lukaku apo Kevin De Bryune?”.
Po në testin më të rëndësishëm në grupet e Europianit kemi parë Lukakun “e fikur” vetëm nga një mbrojtës i Milanit, Kjaer, që iu përgjigj fizikisht sulmuesit të Interit për të mos e lënë thuajse në asnjë moment që të kalonte.
E menjëherë pas hyrjes së Kevin De Bryune në fushën e lojës do të përmbysej ndeshja në 1-2. Gjithçka gatuhet nga këmbët e mesfushorit të Manchester City-t, duke qenë truri i gjithë Kombëtares. Statistikat e mbrojtjes së Portugalisë nuk janë aspak të mira me 6 gola të pësuara në 3 ndeshjet e para të grupit, por nuk duhet të harrojmë se nuk bëhet fjalë për një mbrojtje fëmijnore.
Ruben Dias që është pjesë e Manchester City-t ndodhet së bashku me Pepe në qendër.
Krahët fluturojnë me Semedon dhe Raphael Guerreiro që si të metën më të madhe kanë përparimin në sulm duke lënë hapësira boshe që nga Hazard dhe Carasco mund të shfrytëzohen fare mirë. Kjo është gjendja e parashtruar për Belgjikë-Portugali ku edhe njëherë duhet të pyetet: “Fiton Ronaldo apo Kevin De Bryune?”. Me siguri që Lukaku nuk mund të arrijë asgjë i vetëm… /Sport Ekspres/