Nuk ka më pritje. Tirana shpallet zyrtarisht kampione e “Abissnet Superiores“ për këtë sezon. Pas disfatës me Laçin dhe Kastriotin dhe barazimit me Teutën, tashmë bardheblutë mund të festojnë lirshëm titullin numër 26 në historinë e tyre. Duket se zyrtarizimi ishte lënë për derbin ndaj Partizanit, për të shijuar kështu suksesin më të ëmbël të arritur ndonjëherë. Megjithëse i zhvendosur në Elbasan, derbit nuk i mungoi spektakli as në fushë e as në tribuna. Skuka hap i pari serinë e golave, teksa në minutën e 20 realizon ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij. Një goditje me roveshatë dhe festa e çmendur me tifozët e “demave të kuq” është e pashmangshme.
Por epërsia zgjat pak, pasi 7 minuta më vonë Seferi shkund rrjetën e Alban Hoxhës. Sulmuesi i Tiranës e kërkonte me ngulm golin dhe shfryn menjëherë gjithë nervat dhe tensionin e grumbulluar në momentin që feston. Ndërkohë pjesa e dytë nis me përmbysjen e bardhebluve. Vetëm pak sekonda nga nisja e lojës dhe Enur Totre dhuron një magji nga distanca. Skuka kërkon një penallti pak minuta më vonë, por pas rishikimit të pamjeve me VAR, Hamiti ndryshon mendim dhe e lë lojën të luhet. Skuadrat kanë kërkuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, por pa mundur të ndryshojnë fatin e derbit. Tirana fiton me rezultatin 1-2 dhe shpallet kështu kampione e “Abissnet Superiores”. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli“ në “Supersport”.
Seferi (Tirana): “Objektivin tim e arrita. Jo ndoshta, por e kemi dominuar kampionatin. Nuk kemi pasur asnjë kundërshtar. Kohëte fundit nuk kishim bërë ndeshje të mira, por na e solliu fati. Fituan dhe u shpallëm kampionë. Jam shumë i lumtur. Po bëj më të mirën që të kap edhe Kombëtaren. Do bëj maksimumin tim që trajneri i Kombëtares të shohi se çfarë po bëj unë“.
Hoxhallari (Tirana): “Kjo është Tirana më e fortë. Është Tirana që kam dalë kampion si kapiten. Edhe ajo ishte Tiranë e fortë, por kjo ka dominuar kampionatin. Gjithë këto gjëra që kanë ndodhur, ta mbyllësh sot me një fitore në derbi dhe me një fitore të kampionatit është e veçantë. Aq më tepër që për mua ky është derbi i fundit. Edhe Partizani e ka fituar titullin me ne dhe sot i kthyem reston. Faulli te Skuka? Nuk mendoj që pati kontakt. Kur erdhi Belica i thashë që u hodh vetë”.
Shehi (Tirana): “Festa e lojtarëve? U bë bluza e tretë që më laget. Kujtova se mbaruam punë, por jo. Mendoj që gjithë merita i shkon këtyre çunave. Që nga 5 korriku kanë qenë të palodhur. Më kanë nderuar shumë. Sepse gjatë kampionatit kemi ndryshuar edhe skemat. Jam shumë krenar që fitoj titullin me këta lojtarë, është privilegj i madh që drejtoj këta futbollistë. Këto tre ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet. Kjo për shkak të shumë faktorëve. Donim sot të ishim protagonist, përballë një rivali historik. Skuadra edhe pse pëso gol vazhdoi të luante me të njëjtin ritëm. Kur një skaudër është në disavantazh do forcë karakteri. Para ndeshjes nuk pashë atë parrullën “No Totre, no party”. Mendova ta shkruaja vetë, por në pjesën e dytë tifozët e vendosën. Dihet çfarë niveli ka ai. Titulli i parë me Skënderbeun apo titulli i parë me Tiranën? Padyshim titulli me Tiranën, sepse këtu jam trajner dhe përgjegjësia është e gjitha e imja”.
Halili (Tirana): “Janë lot gëzimi. Fituam titullin sot. Jemi të gjithë të lumtur, edhe familja ime. Falenderoj edhe bashkëshorten time që nuk ka ardhur kurrë në stadium. I shtojmë edhe një trofe klubit tonë, që është më i madhi në Shqipëri. Kjo ndeshje na shijoi shumë, sepse luajtëm me rivalin tonë të përhershëm. Ka një lu.ftë sportive për 90 minuta dhe pastaj jemi shokë. Falenderoj Shehin, që ka qenë një prind i dytë. Falenderoj Osmanin që ka gjetur lojtarët. Falenderoj tifozët, që edhe pse jemi në kohë krize e gjejnë mundësinë dhe vijnë na mbështesin. Ne shpresojmë që në vitet e ardhshme, të jemi një skuadër e kujdesshme. Jemi lehtësuar shumë nga ato të shkuara, që nuk dua ti kujtoj. Kemi edhe pak punë ti dërgojmë 0-0 (borxhet). Festën do ta bëjmë në Sheshin Skënderbej, ku besoj do të kemi një leje nga bashkia. Do të bëjmë një festë madhështore, sic i takon këtij grupi”.
Mehmeti (Partizani): “Ishim shumë më superiorë në momentin që arritëm të shënonim. Kishim edhe një rast me Carën, që duhet ta zgjidhte më mirë situatën. Duhet të ishim me këmbë në tokë. Goli i parë ishte një gol që nuk duhet ta pësonim. Edhe te goli i dytë ishte e pafalshme. Në të tilla ndeshje lojtarët përjetojnë në aspektin emocional dhe bëjnë gabime. Të jem i sinqertë më hidhëron shumë momenti që nuk akordohet penallti për Partizanin. E shikon VAR-i dhe nuk e jep, kur kishte kontakt. Titullin kampion kam qenë vetë prezent kur e kemi fituar kundër Tiranës dhe nuk më intereson (fakti që Tirana fiton titullin në derbi). Kur e jep vendimin gjyqtari që ka kontakt te Skuka, nuk ka pse ndërhyn VAR-i në këtë rast. Është penallti e pastër. Nuk ka protestuar fare Hoxhallari. Megjithatë ç’ti bëjmë. Kjo është mënyra e arbitrimit”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/