Erzeni mposhti Egnatian në javën e 25 të kampionatit shqiptar, duke shkuar vetëm 1 pikë larg zonës që të siguron pjesëmarrjen në Europë. Por në Shijak parapëlqejnë të qendrojnë me këmbë në tokë dhe të shohin pjesën e poshtme të tabelës së renditjes. Në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, Ilirid Ademi është shprehur se objektivi i vetëm i Erzenit është qendrimi në “Abissnet Superiore“. Futbollisti i skuadrës shijakase ka treguar se ishin të vetëdijshëm se në fundjavë i priste një përballje e fortë ndaj Egnatias, por e kishin përgatitur ndeshjen maft mirë për të dalë me tre pikët nga fusha.
“E dinim që do të përballeshim me një skuadër të fortë dhe cilësore si Egnatia. E dimë që Egnatia synon të shkojë sa më lart, në zonën europiane. E kishim përgatitur mirë këtë ndeshje. Për sa i përket golit të Egnatias, ishte një gabim te zona jonë. U vendosëm pak keq dhe barazuan 1-1. Rasti i humbur në fund? Isha shumë i lodhur në atë moment, sepse ishte fundi i ndeshjes. Më thirrën shokët, por nuk i dëgjova. Normale, është edhe dëshira për të shënuar. Ne qendrojmë me këmbë në tokë. Qëllimi jonë kryesor është të qendrojmë në Superiore. Jemi në mes të tabelës, por tabela është e ngjeshur. Me dy humbje je në pjesën e ftohtë“, ka deklaruar Ilirid Ademi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/