Rikthimi në fushë pas pezullimit 6 mujor e ka gjetur Eraldo Çinarin në formën më të mirë. Menjëherë mori rolin e heroit që në minutat e para me golin e fitores, ndërsa të tjera rrjeta të tundura e kanë shoqëruar. Kjo ka bërë që në gjurmët e sulmuesit shkodran të bien 3 ekipe nga elita e futbollit azer.
Sipas asaj që raporton “Azerisport”, për Çinarin kanë shfaqur interes tre ekipe në kampionatin e Azerbajxhanit. Media në fjalë bën të ditur vetëm identitetin e njërit prej tyre, që rezulton një emër i njohur për shqiptarët dhe për futbollin azer.
Bëhet fjalë për Karabakun, ekip që ka një histori të suksesshme në Azerbajxhan, por edhe në Europë, ku madje ka arritur të shkojë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë Karabak është një emër mjaft i njohur për shqiptarët, teksa shumë vite të karrierës së tij Ansi Agolli i ka kaluar pikërisht në këtë klub./Halit Delibashi-Sport Ekspres/