Julian Ahmataj largohet nga Kamza. Ky është vendimi i papritur i klubit nga periferia e Tiranës, që nuk ka pritur gjatë pas mbijetesës së vuajtur, arritur edhe falë punës së ish-futbollistit të njohur, i cili është kthyer në ekspert mbijetesash. Një vit më parë e merr Besën me 1 pikë në Kategorinë e Parë dhe e shpëton, projekton Korabin dhe e dorëzon në vend të tretë, shkon në Burrel dhe megjithëse me 6 pikë në vend të fundit, e shpëton. Kishte ardhur momenti për diçka të rëndësishme. Kur Kamza e telefonoi, as vetë presidenti Qarri nuk besonte te shpëtimi. Prej 10 ndeshjesh pa fitore, me një klimë më së shumti paranoje se i ka të gjithë kundër dhe me një kalendar kundër. Kundër Teutës dhe Vllaznisë do luante jashtë fushe. Teuta dhe Vllaznia do luanin në fund me Kukësin dhe Skënderbeun, skuadra që në atë moment do vinin pa objektiva.
Dy barazime në dy finalet e mbijetesës dhe një fitore e rëndësishme kundër Flamurtarit. Më pas mbijetesë. Sigurisht që trajneri nuk mund të bëjë gjithçka, por Ahmataj meriton çdo kompliment. Mbi të gjitha sepse guxoi. Nëse çdokujt i duhet ajo që rëndom quhet stazh për të hyrë në oborrin e një futbolli të rëndësishëm, Ahmataj ia doli. Dy vjet, 4 ekipe, të gjitha të pashpresa, të gjitha të suksesshme.
Tani Kamza vendos të zgjedhë një rrugë tjetër, Ahmataj me siguri do të gjejë ekip të ri, në Shqipëri apo Kosovë, sepse tashmë është trajner i afirmuar.