Gazetari sportiv Fatjon Baze ka vlerësuar paraqitjen e Shqipërisë në fitoren 2-0 ndaj Finlandës, duke e cilësuar atë një mbrëmje spektakolare për kuqezinjtë. I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, me Drilon Xhepollarin, Baze komentoi paraqitjen e ekipit kombëtar, golat e Ernest Muçit dhe Rey Manajt, si dhe ndryshimin që ka sjellë trajneri Roland Maran në lojën e Shqipërisë.
Gazetari, u ndal veçanërisht te goli spektakolar i Ernest Muçit, duke theksuar se futbollisti po tregon më në fund potencialin e tij edhe me fanellën kuqezi.
Sipas Bazes, Muçi është një talent i jashtëzakonshëm, të cilit nuk i është dhënë hapësira e merituar në përfaqësuese gjatë periudhës së mëparshme, ndërsa nën drejtimin e Roland Maran po shfrytëzohen më mirë cilësitë e tij.
“Realistisht ishte një fitore shumë e rëndësishme. Duke parë 90 minutat, dominimin total dhe lojën e bukur që zhvilloi ekipi ndaj Finlandës, ishte një mbrëmje spektakolare që na shijoi në maksimum. Goli i Ernest Muçit ishte me të vërtetë mahnitës, një gol i jashtëzakonshëm. Një aset të tillë e kemi pasur në ekip, por fatkeqësisht, deri në ardhjen e trajnerit Maran, nuk e kemi shfrytëzuar. Tashmë potenciali i tij po shfrytëzohet dhe frytet e këtij talenti po duken. Është një futbollist te i cili duhet të fokusohemi shumë dhe ta bazojmë lojën te cilësitë e tij, sidomos në fazën ofensive”, deklaroi gazetari.
Ai rikujtoi edhe minutazhin e kufizuar që Muçi ka pasur më parë në kombëtare, duke theksuar se në 22 ndeshje me Shqipërinë ka qenë titullar vetëm në tetë prej tyre, ndërsa ka regjistruar pesë gola në rreth 800 minuta aktivizim.
Sipas Bazes, kjo është një arsye që duhet të ngrejë pikëpyetje për mënyrën se si është menaxhuar talenti i sulmuesit në të kaluarën.
“Besoj se, duke parë tashmë se çfarë po shfaq në fushën e lojës, duhet të ndihen të keqardhur. Të gjithë kemi qenë në dijeni se ai mund të bënte gjëra të mëdha, sepse e ka treguar këtë edhe te ekipet ku ka luajtur. Por më mirë vonë se kurrë. Fatmirësisht, trajneri Roland Maran po e shfrytëzon potencialin e tij”, u shpreh ai.
Baze vlerëson Rey Manaj: Mund të thyejë rekordin e Erjon Bogdanit
Një tjetër futbollist që mori vlerësimin e gazetarit ishte Rey Manaj, autor i golit të dytë ndaj Finlandës, pas një krosimi të Elseid Hysaj.
Baze e cilësoi realizimin e sulmuesit si tipik për një qendërsulmues, duke vlerësuar mënyrën se si ai lexoi aksionin dhe shfrytëzoi asistin e kapitenit kuqezi.
“Edhe Rey Manaj po bën një performancë të jashtëzakonshme. Goli i tij ishte tipik për një sulmues qendre, duke i marrë kohën kundërshtarit dhe duke e shfrytëzuar në mënyrë perfekte asistin që i dha Elseid Hysaj. Është një lojtar që po kalon një periudhë mjaft të mirë”, tha gazetari.
Ai u ndal edhe te statistikat e Manajt me përfaqësuesen, duke vënë në dukje se sulmuesi ka arritur në 14 gola me Shqipërinë dhe është ngjitur në vendin e dytë në renditjen e golashënuesve më të mirë të historisë së kombëtares.
Baze shprehu bindjen se Manaj ka potencialin për të kaluar rekordin e Erjon Bogdanit, duke theksuar se shpreson që sulmuesi të vazhdojë të shënojë sa më shumë gola me fanellën kuqezi.