Notat e Shqipërisë! Super Asllani kur vuan kamerën, Muçi i dënuar, çfarë po ndodh me kapitenin?

Shqipëria fitoi kundër Finlandës në shifrat 2-0, në një ndeshje ku Muçi dhe Manaj vendosën fatin e takimit. Më poshtë po japim vlerësimet që ne kemi bërë për disa prej lojtarëve të Shqipërisë:

Asllani (7.5): “Asllani është si Hysaj, duhet të jetë pa klub që të luajë mirë te Shqipëria. Me gjithë respektin dhe atë që tregohet, por Al Jazira nuk njihet për ekip futbolli dhe për më tepër, as aty nuk luan 90 minuta. Por që ky Asllani është më i mirë sesa ai i Interit, çuditërisht është e vërtetë. Dy gola thuajse të sigurt evitoi portieri i Finlandës prej tij, ndërsa në të kaluarën topi dilte shpesh nga stadiumi. Më shumë saktësi dhe vëmendje, Shqipëria është shansi i vetëm që Asllani të luajë një ndeshje futbolli me kamera që regjistron. Dhe kjo duket se i ka bërë mirë”.

Gjimshiti (6): “Diçka duket se po ndodh me kapitenin. Largimi në Arabinë Saudite ka bërë të vetën, por jo kaq shpejt. I lëshuar paksa fizikisht, herë pas here pak konfuz dhe tani mbi të gjitha nervoz. Në transfertën e Finlandës i lëshoi britmat Sherrit dhe dje në shtëpi Shehut. Ndërkohë më parë, ishte njeriu më skandinav në botë, ishte aq i qetë sa herë pas here dukej i kritikueshëm, një kapiten nuk mund të ishte aq i qetë asnjëherë. A po bën Gjimshiti tani kapitenin e vërtetë apo sot ka më pak fuqi dhe nuk mbyll dot më ato hapësira që deri dje, nuk i linte në duart e të tjerëve? Punën e mirë duhet ta bësh vetë”.

Qazim Laçi (6.5): “Lojtar punëtor dhe që bën shumë kilometra, por para portës është shumë konfuz. Dje çuditërisht kishte ankesa dhe zë të shtuar, ndërkohë që po humbiste vetë raste fatale. Pilo e shërbeu dhe iu ankua paksa dyshimtë dhe Hysaj e nxori para portierit me Laçin që kishte ankesa se lojtarët nuk futën këmbën për topin që ishte një gjuajtje e bërë keq në portë. Mungesa e saktësisë në goditje është gjithmonë problemi i tij i madh, gjithçka tjetër e bën mirë, derisa gjuan në portë”.

Elseid Hysaj (8): “Me siguri që Elseid Hysaj mërzitet po aq sa ne tifozët kur mbaron ndeshja e Shqipërisë. Rezultati ishte 2-0, por donte që ajo ndeshje të mos mbaronte kurrë pasi nuk e ka një tjetër ndeshje ku të tregojë veten, pas asaj të së dielës. E shijon aq shumë, aq sa tani futet edhe brenda zonës dhe japim pasim me finte, finte që dikur nuk i dilnin në mbrojtje dhe sot i dalin në portën kundërshtare. është gjithçka në perfeksion, përtej limiteve fizike dhe që e bën Muçin të mos shpalosë 100% e talentit të tij, futbolli i Hysajt dhe i Muçit nuk janë e njëjta melodi, stonon, por nuk mund të kërkojmë çudira më shumë se po ndodhin”.

Ernest Muçi (8.5): “Me fat që e kemi te Shqipëria. Një super gol klas, por nuk e shijon dot futbollin te Shqipëria si në Turqi. Vetëm Pilo kupton futbollin që Muçi luan dhe është shumë pak. Shumë topa të nxjerrë i zerohet vlera pasi nuk i kuptojnë shokët e ekipit, Muçi duket si një lojtar i dënuar që të shënojë super gola te Kombëtarja dhe pastaj të duket “i zhdukur”. Jo për fajin e tij, por të të tjerëve”.

Pilo (7.5): “Problemi i tij i vetëm është se kalohet shumë thjeshtë në duele. Në anën sulmuese, është lojtari që Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë në atë pozicion. Del me një elegancë, zgjuarësi dhe intuitë të frikshme. Cdo pasim i hedhur në zonë është i rrezikshëm, asnjë top nuk është i futur më kot dhe pa ide”.