“E morëm mesazhin direkt pas San Marinos”, Maran ka reflektuar: E kishim mbyllur me Finlandën edhe në ndeshjen e parë

Kombëtarja shqiptare përgatitet për një sfidë shumë të rëndësishme ndaj Finlandës, me objektivin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të konfirmuar pretendimet në Ligën e Kombeve. Në prag të këtij takimi, trajneri Rolando Maran ka folur për mediat, duke zbuluar edhe një problem që ka vënë re te skuadra pas ndeshjes me San Marinon.

Bëhet fjalë për përgjegjësinë dhe mënyrën se si lojtarët duhet të përfaqësojnë fanellën kuqezi. Tekniku italian pranon se sinjali është marrë menjëherë pas sfidës së fundit, ndërsa kërkon më shumë përqendrim dhe angazhim nga të gjithë futbollistët.

“Ne e kemi kuptuar direkt pas ndeshjes me San Marinon. Sinjali është marrë direkt nga skuadra. Ekipi e ndjen përgjegjësinë, e jeton atë dhe është i vetëdijshëm edhe për gabimet që mund të bëhen, por edhe për gjërat që duhet të përmirësohen”, u shpreh Maran.

Trajneri i Shqipërisë ka zbërthyer edhe strategjinë që synon të aplikojë kundër Finlandës. Mesazhi i tij është i qartë: kuqezinjtë duhet të jenë të rrezikshëm në sulm, por mbi të gjitha të mos pësojnë gola.

“Ne do të futemi në fushë për të shënuar dhe për të mos pësuar gol mbi të gjitha. Ndeshja me San Marinon e ka vënë pak në dyshim atë proces që ne po punojmë. Në Finlandë, në ndeshjen e parë, mund të kishim shënuar më shumë dhe ta kishim mbyllur takimin, por gjithçka u vendos edhe nga momente specifike që ndryshuan rrjedhën. Jemi të vetëdijshëm për atë që duam të demonstrojmë nesër”, deklaroi italiani.

Maran ka kërkuar gjithashtu vendosmëri dhe ndjenjë përgjegjësie, duke theksuar se këto janë karakteristika që duhet të reflektohen në fushë.

“Populli shqiptar e ka vendosmërinë si karakteristikë. Këtë dua t’ia përcjell edhe skuadrës. Ndjenja e përgjegjësisë është një element që duhet të injektohet dhe që në fakt e kemi”, theksoi trajneri. Në fund, Maran u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, pasi stadiumi pritet të jetë i mbushur plot.

Ai kërkon që çdo futbollist të largohet nga fusha me ndjesinë se ka dhënë gjithçka: “Për secilin lojtar duhet të jetë diçka shumë specifike, që të dalë nga fusha me ndjesinë se ka dhënë gjithçka. Rezultati nuk i dihet, por kur i ke bërë të gjitha këto, mundësia për të marrë rezultatin e dëshiruar rritet shumë”. Mesazhi i Maranit është i qartë: Shqipëria duhet të tregojë karakter, përgjegjësi dhe efikasitet përballë Finlandës.