Kombëtarja shqiptare po përgatitet për dy sfidat e fundit në Nations League, ku përballë do të ketë Finlandën dhe Bjellorusinë. Kuqezinjtë synojnë të mbyllin aventurën në këtë kompeticion në vendin e parë të grupit, ndërsa optimizmi në kampin shqiptar është i madh. Këtë e kanë konfirmuar edhe Julian Shehu dhe Etrit Berisha, të cilët dolën në konferencën për shtyp për të folur mbi objektivat dhe gjendjen e skuadrës.
Mesfushori Julian Shehu vlerësoi ndryshimet në mënyrën e lojës së Kombëtares, duke theksuar se qasja më ofensive dhe agresive ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
“Unë besoj se mënyra se si po luan ekipi tani, me një lojë pak më ofensive dhe pak më agresive përpara, ka dhënë frytet e veta. Është e rëndësishme që ne të ndihemi mirë në fushë, të respektojmë dhe të zbatojmë detyrat që kërkon trajneri. Përderisa rezultatet janë ato që trajneri kërkon, pa dyshim që çdo gjë është në rregull”, u shpreh Shehu.
Sa i përket përballjes me Finlandën, mesfushori kuqezi theksoi se skuadra duhet të jetë maksimalisht e përqendruar, pasi kundërshtari meriton respekt. Megjithatë, objektivi është i qartë.
“Patjetër që objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup, të ruajmë kryesimin dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, deklaroi ai.
Shehu foli edhe për aktivizimin e tij nën drejtimin e trajnerit Maran, duke treguar se interesat e Kombëtares janë mbi ato personale.
“Për aq kohë dhe minutazh sa na jepet mundësia, ne duhet të japim maksimumin, sepse në fund të fundit jemi këtu për ekipin kombëtar, nuk jemi këtu për objektivat tona personale, që të luajmë sa më shumë apo të kemi sa më shumë minuta. Sa herë që të jemi në fushë, besoj se duhet të japim maksimumin”, theksoi mesfushori.
Nga ana tjetër, portieri Etrit Berisha u shfaq gjithashtu optimist për dy ndeshjet e ardhshme. Gardiani shqiptar ftoi tifozët të jenë pranë skuadrës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së tyre në këtë moment vendimtar.
“Objektivi ynë, gjithsesi, është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara, duke ruajtur vendin e parë”, u shpreh Berisha për sfidën me Finlandën.
Portieri u ndal edhe te përballja e parë me finlandezët, duke pranuar se ajo ndeshje solli momente të vështira për Shqipërinë, por tashmë skuadra e ka lënë pas atë episod.
“Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen mbrapa. Gjithsesi, ishte një moment që ndryshoi edhe rrjedhën e lojës. Ishte ndoshta edhe një fatkeqësi, pasi pas një gabimi fillon edhe një seri ngjarjesh, domethënë pësimi i golit dhe gjithçka tjetër u bë më e vështirë. Mirëpo, besoj se e kemi kaluar atë moment dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshjet e radhës. Gjithçka e kemi në dorën tonë”, deklaroi ai.
Berisha vlerësoi cilësinë dhe eksperiencën e lojtarëve shqiptarë, por paralajmëroi se Finlanda nuk duhet nënvlerësuar.
“Ne kemi lojtarë më cilësorë. Kemi lojtarë që luajnë ose kanë luajtur në kampionate të rëndësishme, lojtarë me eksperiencë. Megjithatë, nuk duhet në asnjë mënyrë të nënvlerësojmë Finlandën”, përfundoi portieri.
Mesazhi nga kampi kuqezi është i qartë: Shqipëria kërkon maksimumin në dy sfidat e fundit, me synimin për të ruajtur kreun e grupit dhe për ta mbyllur Nations League në mënyrën më të mirë të mundshme. /Sport Ekspres/