Mbrojtësi Ivan Balliu ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij me Kombëtaren shqiptare. Një vendim që mbyll një kapitull të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të futbollistit, i cili zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë duke nderuar rrënjët e tij. Pas këtij vendimi ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për mbrojtësin.
Përmes një mesazhi publik, Duka ka vlerësuar kontributin e Balliut, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë i gatshëm për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi. “Ivan, të falënderoj nga zemra që zgjodhe Shqipërinë, që përfaqësove rrënjët e tua dhe që i dhe kaq shumë Kombëtares. Kam shumë respekt për ty, si futbollist dhe si njeri”, është shprehur Duka. Kreu i FSHF-së ka theksuar gjithashtu se emri i Balliut do të ketë një vend të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses shqiptare. Kështu, aventura kuqezi e mbrojtësit përfundon me mirënjohjen e institucioneve të futbollit shqiptar për atë që dha në shërbim të Kombëtares.