Flamurtari fiton kundër Besëlidhjes, merr vendin e dytë në Kategorinë e Parë

Flamurtari e ka nisur me ritëm të lartë përballjen ndaj Besëlidhjes, e vlefshme për javën e shtatë të Kategorisë së Parë. Vlonjatët, të uritur për pikë pas barazimit të Pogradecit, kanë hyrë në fushë me synimin e qartë për të marrë fitoren dhe për t’u afruar me kreun e renditjes.

Skuadra vlonjate ka ushtruar presion që në minutat e para, duke e shpërblyer këtë këmbëngulje që në minutën e 8-të. Ishte Sala ai që dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur entuziazmin në stadiumin “Flamurtari” dhe duke i dhënë avantazhin vendasve.

Pas golit, Flamurtari ka kërkuar të ruajë kontrollin e lojës, ndërsa Besëlidhja e drejtuar nga Mirel Josa është përpjekur të reagojë për të rikthyer ekuilibrin. Megjithatë, 45 minutat e para janë mbyllur me rezultatin 1-0 në favor të vlonjatëve, aq sa do të mbyllej edhe takimi, për ta dërguar Flamurtarin në vendin e dytë. /Sport Ekspres/