Shqipëria ka marrë fitoren e 3-të në grup. Kuqezinjtë kanë mposhtur me shifrat 2-1 San Marinon. Asllani realizoi një gol spektakolar në minutën e 10 të lojës, duke zhbllokuar kështu rezultatin. Me golin e shënuar herët u krijua përshtypja se ndeshja do të shkonte drejt goleadës, por e kundërta ndodhi.
Lazari tundi rrjetën në minutën e 66, duk befasuar kështu kuqezinjtë. Këta të fundit u hodhën në sulm, por golin e gjetën në minutat e kohës së shtuar. Ismajli fitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol Asllani. Me këtë fitore kuqezinjtë marrin sërish kreun e renditjes, me 9 pikë të grumbulluara gjithsej. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”-in.
Gjimshiti: “Duhet të nxjerrim shumë mësime. Në karrierën time nuk mbaj mend të kemi pasur një ndeshje ku e mendonim që do të fitonim, por që nuk u duk fare diferenca me San Marinon. Në minutat e fundit me vepra do të kisha treguar që të ikja dhe unë përpara. Por rreziku ishte se mund të shënonin golin e dytë. Mesfusha ishte bosh. Fitonin çdo duel. Më dukej sikur kishin ata më shumë kualitet se sa ne me kombinimet që po bënin.”.
Hysaj: “Vuan Shqipëria sepse nuk shënon ato raste që ka. Po t’i shfrytëzonim do të kishim fituar 3-0 që në pjesë të parë. San Marino ishte shumë poshtë dhe nuk po na linte hapësira për të sulmuar me shpejtësi. Por edhe disa lojtarë i kam parë pak të lodhur. Nuk ishte ndeshje e dobët. Unë kisha besim në fushë se do të fitonim 2-0 apo 3-0. Por kur po qendronim 1-0 pata pak frikë, sepse nga eksperienca e di që mjafton një moment dhe të ndëshkon kundërshtari. Por le të falenderojmë fatin që fituam penalltinë në fund dhe fituam”.
Maran: “Sigurisht që nuk bëmë një ndeshje të mirë. Por në fund arritëm të merrnim tre pikët. Krijuam shumë mundësi në pjesën e parë, por nuk i shfrytëzuam dot. Ulëm ritmin në pjesën e dytë. Menduam se kjo ndeshje ishte e fituar. Por në fakt duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Ndonjëherë ndaj këtyre ekipeve ulet edhe përqendrimi. E kishim në kontroll dhe mjaftonte momenti për të mbyllur ndeshjen. Muçi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, pasi kishte një dhimbje në pjesën e kofshës. Nëse llogarisim edhe ndeshjen e Finlandës, mund ta kishim mbyllur këtë ndeshje me 12 pikë”./Sport Ekspres/