Shqipëria ka mposhtur Bjellorusinë me shifrat 2-0. Asllani nga pika e bardhë e penalltisë dhe Muçi ishin autorët e golave të shënuar në “Air Albania”. Pas përfundimit të takimit, trajneri dhe lojtarët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”.
Asllani: “Manaj ma kishte thënë që përpara ndeshjes. Po të kishte penallti do të shkonte ai te topi, por më pas do të vija ta gjuaja unë. Ishte e vështirë për mua të kapja topin e dytë. Por pas 2-0 kemi pasur shumë raste. E kemi vendosur ne ndeshjen. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Al Xhazira? Kam refuzuar disa oferta. Pashë merkaton si shkoi. Pastaj erdhi Al Xhazira dhe e pranova. Duhen këto eksperienca, pasi tani jam vetëm 24 vjeç”
Maran: “Jam shumë i lumtur për mënyrën se si performuan lojtarët. E doja një paraqitje kështu. Lojtarët kanë realizuar me përpikmëri atë që kemi punuar në stërvitje. Nuk u befasuam nga Bjellorusia. E dinim që ishte e vështirë. Por sipas statistikave, kemi pasur 20 gjuajtje, që është një statistikë shumë e vështirë. Bjellorusia është shumë e vështirë, pasi rri shumë poshtë, por arritëm të gjenim hapësirat. Sot pata shumë përgjigje pozitive. Duhet të vlerësohet shpirti i skuadrës dhe shpirti i sakrificës për njëri-tjetrin.
Muçi është një lojtar me një cilësi të madhe. Ne nuk mund ta përqendrojmë lojën në një lojtar të vetë. Ai është lojtar i rëndësishëm dhe sot e ka treguar. Nuk duhet të kemi vetëm një lojtar që të jetë si një pikë reference, duhet të jetë e gjithë skuadra. Por ka cilësi të mira. Për Muçin ishte shumë e rëndësishme të shënonte gol në ndeshjen e parë me Komëbtaren nën drejtimin e tim. Dua t’i bëj komplimenta skuadrës, mund të kishte përfunduar me më shumë gola”.
Gjimshiti: “Doja të godisja portën me kokë, pastaj pashë këmbën lart. Me preku, jo dhe aq shumë, por arbitri e dha penallti për ne. Më mirë ashtu. E rëndësishme është të fitosh. Ndoshta 15 minutat e para ishim në vështirësi, pasi ata fituan shumë topa të dytë dhe duele. Me Etritin kemi histori bashkë, shumë vite. Është bukur ta shohës prapë Etritin”./Sport Ekspres/