Eno Skarço ishte i ftuar në studion e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN”. Gazetari shqiptar ka dalë kundër rrymës, duke u shprehur se Kombëtarja nuk duhet të përqendrohet më te Broja. Ai e ka konsideruar sulmuesin e Burnley-t si një objekt misterioz te kuqezinjtë, që nuk jep asgjë në fushën e lojës. Skarço ka shtuar se Broja ka qenë si një lojtar mangët për Shqipërinë.
“Broja më tepër ka qenë objekt misterioz në çdo thirrje të trajnerëve të Kombëtares. Objekt misterioz, s’ka dhënë asgjë. Të gjithë mbajnë mend Brojën që ka shënuar me Hungarinë në 2023-shin. Kanë kaluar 3 vite që atëherë. Sa herë që është thirrur ka qenë nën ton. Nuk i ka dhënë skuadrës atë që pritej. Është akoma pa arritur pikun e tij si lojtar. Kur është 25-28 vjeç, lojtari ka kulmin e tij. Ai duhet të fillojë të punojë. Sa herë që ka ardhur ka qenë një lojtar mangët për Shqipërinë.
Mendoj që Marani duhe të fokusohet te futbollistët që janë duke bërë diferencën. Siç është Shpendi që po shënon rregullist, Muçi po shënon e po jep asist dhe është bërë titullar i padiskutueshëm. Ka ardhur koha që të bazohesh te ai lojtar, sepse boll ka qenë i anashkaluar. Kemi Dakun që shënon, Manajn që shënon, Seferin që shënon. Pra zgjidhjet para i kemi”, ka thënë Eno Skarço./Sport Ekspres/