Nga Turqia e 2002 e Botërorit te Greqia dhe Serbia, kjo Shqipëri ka nevojë ende për shumë duartrokitje

“Për herë të fundit Turqia ka shkuar në Botëror në 2002, unë atëherë nuk kisha lindur”! Kështu tha ylli i Real Madrid, Arda Guler, para ndeshjes me Kosovën. Një pohim ky që të kupton qartazi se ku ka shkuar situata, nëse i kthehemi pas ndeshjes së Shqipërisë. Një ndeshje që nuk la shijen e mirë për shkak të rezultatit, pasi e kërkonim Botërorin me aq shumë ngulm.

Ishte e para për historinë tonë që shkonim deri këtu, por në fund i morëm eksperiencën dhe kjo nuk është pak. Shikoni, po flasim për një Turqi e cila është në popullsi shumë herë më e madhe se Shqipëria, e cila prodhon lojtarë pafundësisht shumë, e cila ka një fuqi ekonomike shumë herë më të madhe dhe për pak, mund të ishte Shqipëria që do të futej në Botëror përpara Turqisë.

Nga ana tjetër tifozët e AEK kishin bërë një shkrim ku shkruanin: “Nuk duhet ta quajmë Pilon si shqiptari. Kur Shqipëria hyri në Europian ne po e shihnim nga shtëpia, kur Shqipëria hyri në Play Off Botërori, ne ishim prapë nga shtëpia”. Pra rivalët tanë të përjetshëm, që dikur i quanim të pamposhtur, sot jemi më lartë se ata dhe ky është një tregues i rritjes tonë, Serbia dhe Greqia duke parë ndeshjet e Shqipërisë pa të drejtë për të luajtur edhe ata, nuk është pak.

Shumë kritika janë hedhur edhe për vetë Silvinjon pas asaj ndeshjes, por Altin Rraklli, legjenda e Kombëtares, ka hedhur një perlë në Koha Shtesë: “Klaudio, nëse kthehemi mbrapa 3 vite pas dhe Zoti të na thoshte neve, Shqipërisë: “Do të japim një trajner i cili do iu çoj deri në Europian si vend i parë dhe në Play Off Botërori si vendi i dytë, a do ta pranonim?”.

Pra kemi kaluar nga një ekstrem në një tjetër, ku për shkak të rezultateve fantastike të arritura në vitet e fundit, steka është ngritur kaq lartë, ku hapi tjetër që kërkohet është që Shqipëria të barazohet tërësisht me Poloninë. Dhe kjo u arrit në Varshavë, por nuk mjaftoi.

Në fund të takimit, Shqipëria kishte 50% mbajtje topi sa edhe Polonia, po rastet e pastra ishin 3-1 në favorinë tonë. Pra Shqipëria dominoi Poloninë në transfertë. Një lojtar që debutoi, Pilo, ishte pranë golit dhe kjo do të ishte një tjetër arritje, shënim gol që në debutim dhe për më tepër, në Play Off Botërori.
Të gjitha këto tregojnë qartësisht se Shqipëria është kthyer si Kombëtaret dhe ekipet me peshë të cilat i besojnë lojtarëve të talentuar dhe me shumë potencial dhe ata e shfaqin menjëherë aftësinë e tyre, përtej rastit të humbur.

Kjo nuk është dështim, përkundrazi, është një arritje e madhe. Duket e pamjaftueshme për faktin se në Shqipëri nuk ka një arsye tjetër për të festuar dhe për t’u mbledhur siç Kombëtarja di ta bëjë. Duket e pamjaftueshme sepse përjetimi në Shqipëri është më shumë sesa një ndeshje futbolli ku Jasir Asani përshembull, në një kohë ishte më i njohur se Kryeministri dhe i pari i vendit, Edi Rama. Dhe arsyeja? Thjeshtë e disa golave të shënuar me fanellën e Kombëtares.

Dhe e parë në këtë prizëm, është zhgënjyese sa herë që disa lojtarë performojnë nën nivelin e pritshëm në ndeshjen më të rëndësishëm dhe historike, por edhe kjo është pjesë e futbollit. Dhe një kritikë e tillë e tanishme tregon qartazi se në fakt Shqipëria jo vetëm që nuk po bën hapa mbrapa, por tani Botërori nuk është më një ëndërr, por konsiderohet si një objektiv që duhet arritur. Dhe nga kush? Nga Shqipëria, nga Shqipëria e 2 milionë banorëve, me rrogën mesatare 400 euro dhe pa histori, ndërsa diku afër nesh, Turqia e ka provuar për herë të fundit Botërorin në 2002… /Sport Ekspres/