Ëndrra e shqiptarëve për të parë Shqipërinë në finalet e Kupës së Botës 2026 ka marrë fund në Varshavë. Kuqezinjtë janë mposhtur në Poloni me rezultatin 1-2, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e fazës “play off”. Arbër Hoxha tundi rrjetën në minutën e 42-të, duke heshtur stadiumin me golin e tij.
Shqipëria fitoi më tepër vetëbesim pas kalimit në avantazh, teksa “flirtoi” me golin edhe dy herë të tjera. Fillimisht ishte Bajrami ai që në brendësi të zonës e dërgoi topin ngjitur me shtyllën. Më pas Pilo, i gjendur përballë portierit kundërshtar, nuk mundi ta dërgonte topin në rrjetë dhe të mbyllte ndeshjen.
Dy raste të shpërdoruara që kanë rënduar shumë mbi Shqipërinë. Polakët kanë ditur të reagojnë në pjesën e dytë dhe ia dolën të përmbysnin rezultatin me sukses. Levandovski barazoi shifrat me kokë nga goditja e këndit në minutën e 63-të, ndërsa 10 minuta më vonë Zielinski vulosi fitoren e polakëve me një gjuajtje nga distanca. Kështu bardhekuqtë kanë siguruar biletën për në finale të fazës “play off”, ku do të përballen me Suedinë për një vend në Kupën e Botës 2026./Sport Ekspres/