“Ndoqa zemrën, jam rritur duke parë Shqipërinë”, Pllana nuk u trembet polakëve: Kemi lojtarë në ligat më të forta, Botërori është historik për ne

Bujar Pllana është risia e Silvinjos në listën e Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi 24-vjeçar do të jetë pjesë e kuqezinjve për përballen e 26 marsit kundër Polonisë. Një kundërshtar të cilin Pllana e njeh mjaft mirë, duke qenë se është pjesë e kampionatit polak. Lojtari i Lechia Gdansk-ut ka dhënë një intervistë për “Sportowe Fakty”-n, ku ka thënë se ishte zemra ajo që e udhëhoqi të zgjidhte Shqipërinë. Pllana vlerëson nivelin e polakëve, por nga ana tjetër nënkupton se diferencat nuk janë të mëdha.

“Ndoqa zemrën time. Ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë. Jam rritur duke parë Kombëtaren shqiptare. Tani jam i lumtur që jam pjesë e saj. Në futboll asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Në futboll nuk mund të shohësh askënd si favorit. Gjithçka është e mundur. Do të japim më të mirën tonë për të shkuar në finale.

Ju keni një ekip dhe lojtarë të mirë, por është e ngjashme edhe për ne. Kemi futbollistë që luajnë në ligat më të mira. Në Shqipëri janë të gjithë entuziastë për këtë ndeshje, shumë të përqendruar. E kuptojmë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Kualifikimi në Kupën e Botës do të ishte një ngjarje historike për ne. Kemi lojtarë të mirë dhe një trajner të mirë. Jemi përmirësuar në vitet e fundit, siç e pamë edhe në Kampionatin Europian. Po përmirësohemi në çdo ndeshje”, është shprehur Bujar Pllana./Sport Ekspres/