“Nuk është faji im nëse nuk e shihni sa mirë luan Shqipëria”, trajneri i Polonisë: E di se për ç’nivel janë të aftë

Jan Urban ka folur për “Przeglad Sportowy Onet” në lidhje me sfidën e 26 marsit kundër Shqipërisë. Trajneri i Polonisë ka vlerësuar tej mase Kombëtaren shqiptare, të cilën duket se e ka analizuar me detaje. Kreu i pankinës polake i ka thurur elozhe kuqezinjve, për të ciët ka thënë se luajnë futboll të mirë dhe se kanë qendrueshmëri e një trajner të mençur.

“Tani do të luajmë kundër Shqipërisë plot vetëbesim, por më vjen keq, në raundin kualifikues për EURO-n e fundit, Shqipëria fitoi grupin kundër nesh dhe gjithashtu kundër Republikës Çeke. Shqipëria thjesht luan futboll të mirë dhe nëse dikush nuk e sheh këtë, nuk është faji im.

E di se për çfarë niveli janë të aftë. I mbaj mend duke luajtur kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës në Kampionatin Europian dhe si arritën ta mposhtnin Ukrainën në Ligën e Kombeve. Kjo skuadër ka stabilitet, një trajner të mençur që ka qenë në krye për tre vjet dhe ata dinë si të luajnë.

Shqiptarët luajnë në klube të mira dhe shfaqin një stil loje italiane, duke huazuar shumë nga idetë e tyre nga ai rajon. Ata nuk e humbasin topin lehtë dhe kur janë nën presion, nuk kalojnë në panik. Janë një ekip teknikisht i shëndoshë, i aftë të thyejë presionin dhe pësojnë pak gola. Theksi është te mbrojtja, prandaj nuk shënojnë shumë gola. Kështu duan të luajnë dhe kjo u ka sjellë rezultatet që meritojnë”, ka deklaruar Jan Urbani./Sport Ekspres/