“Golin e Europianit do ta ndërroja me kualifikimin në Botëror”, Laçi nuk i do shtesat: Ta mbyllim ndeshjen sa më shpejt

Shqipëria do të sfidojë Poloninë në Varshavë mbrëmjen e 26 marsit. Dy Kombëtaret luajnë në gjysmëfinale të “play off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Qazim Laçi është paraqitur në konferencë për shtyp, ku është shprehur se duhet ta mbyllin ndeshjen në kohën e rregullt dhe jo në shtesa. Mesfushori i Rizesporit ka pranuar gjithashtu se do ta ndërronte golin e shënuar në Europian me një gol që do ta dërgonte Shqipërinë në Botëror.

“Sigurisht që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ata janë një ekip që kanë lojtarë me shumë cilësi. Nga ana jonë do të bëhet një lojë në mesfushës. E dimë që do të jetë vetëm një lojë. Nga minuta e parë duhet të futemi me mënyrën që ta mbarojmë ndeshjen sa më parë. Në këtë mënyrë mund të sulmojmë. Po flasim për një ndeshje kualifikimi për në Botëror. Të dyja ekipet e meritojnë. Është një ndeshje ku do të vendosin detajet. Duhet të kemi parasysh që ndeshja mund të shkojë edhe me shtesa.

Fakti që ndeshja është jashtë do të na japë një motivim më shumë. Çdo njeri ë njohim do të na japë nga një mesazh të vogël dhe kjo do të na motivojë më shumë. Ne e kemi pasur ëndërr që të kualifikohemi në Botëror dhe tani ja ku e kemi mundësinë. Këto vitet e fundit kemi punuar shumë, kemi sakrifikuar shumë dhe e meritojnë të kualifikohemi. Do ta ndërroja golin e shënuar në Europian me një gol që do të na kualifikonte në Botëror? Patjetër. Unë kam bërë një Europian dhe tani më mungon një Botëror. Sigurisht që do ta ndërroja, pavarësisht se ishte dhe është momenti më i bukur i karrierës sime deri tani”, është shprehur Qazim Laçi./Sport Ekspres/