“Nuk kemi nevojë për Muçin, kemi nevojë për Seferin”, gazetari sportiv del kundër rrymës

Ndeshja kundër Polonisë po afron dhe diskutimet në studiot televizive kanë nisur. Ernest Muçi është kthyer në një temë debati për shkak të formës mjaft të mirë që po kalon, por edhe për faktin se Silvinjo nuk e ka preferuar në fushë gjatë periudhës që ka drejtuar kuqezinjtë. Gjergji Stefa, i ftuar në studion e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania”, ka dalë kundër rrymës së përgjithshme të opinionit sportiv. Gazetari në fjalë është shprehur se në përballjen kundër Polonisë, Shqipëria ka më tepër nevojë për lojtar me tipare mbrojtëse si Taulant Seferi, se sa për Ernest Muçin.

“Sulmuesit janë gjithmonë produkt dilemash. Ti je një skuadër që nuk futesh në fushë për ta fituar ndeshjen. Ti je një skuadër që futesh në fushë për të mos e humbur ndeshjen. Nëse futesh në fushë për të mos e humbur ndeshjen, ke nevojë për një sozi të Bogdanit dhe për 9 mbrojtësa. Ti nuk ke nevojë për Muçin, ke nevojë për Taulant Seferin. Sepse ti i ke fituar ndeshjet duke u mbrojtur. Kjo ndeshje s’duhet humbur për 90 minuta”, ka thënë Gjergji Stefa./Sport Ekspres/