“Edhe mua m’u anullua një gol me Fierin, por nuk u ankova”, Mehmeti flet për penalltinë: Shikoni si ndërhyn, ai e shtriu në tokë

Dinamo arriti të marrë një fitore të madhe në Vlorë. Kryeqytetasit fituan me shifrat 0-1 falë golit të Denison në minutën e 83. Ky realizim erdhi nga një penallti që solli shumë kontestime. Në Vlorë nuk ishin aspak dakort me vendimin e arbitrit. Gjithashtu edhe tifozët nuk ishin aspak të sigurt për penalltinë e dhënë duke hedhur shishe në fushën e blertë.

Trajneri i Flamurtarit, Troisi, u tensionua në pankinë dhe do të ndëshkohej me karton të kuq. Në fund ekipi i Mehmetit grumbullon tre pikë të tjera dhe shkon në vendin e dytë në Kategorinë e Parë, me një pikë më pak se Skënderbeu. Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, lumë shishesh shpërthyen për arbitrat e takimit që u larguan të shoqëruar nga policia. Pas përfundimit të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Oversport”-in.

Mehmeti (Dinamo): “Vinim nga një ndeshje jo ashtu siç duhet e interpretuar mirë me Apolloninë e Fierit dhe duhet të ishim shumë më të kujdesshëm. Pritej që të mos kishte shumë spektakël. Sa i përket tensionit që kishte brenda fushës, ishte shumë normale nga presioni për pikët. U mundova të marr maksimumin. Falenderoj edhe çunat. Ata më kanë ndjekur, sepse ekipi i Flamurtarit ka mjaft kualitete. Ashtu siç erdhi loja ishte e barabartë. Këto ndeshje, me tension, ndahen nga momente të veçanta.

Penalltia? Po ta shikosh, lojtari i Flamurtarit ka ndërhyrë te topi dhe te këmba e sulmuesit tonë. Mendoj, nuk jam arbitër, por është e saktë që është penallti. Shikoni si ndërhyn ai. S’ka pse të ndërhyjë. Prish të gjithë ekuilibrin e sulmuesit tonë dhe normalisht kanë qenë të dy për të kërkuar topin. Ky është mendimi im. Unë nuk jam pjesë e gjykimit dhe nuk dua të krijoj konflikt te kjo pjesë. Unë kam edhe këtë. I kam kërkuar Barushit ndeshjen me Fierin. Më është anulluar një gol dhe nuk kam bërë replika. I kemi videot aty. Nuk është dhënë një penallti me Fierin. Tani, çfarë të themi? Ky është futbolli dhe duhet të pranojmë verdiktet e fushës. Edhe arbitrat janë njerëz dhe marrin vendime në të qindat e sekondës. Edhe unë nuk u ankova fare me Fierin. Edhe unë pretendoj me Fierin që më është anulluar një gol i pastër dhe nuk më është dhënë një penallti. Futet qendërmbrojtësi në sparkatë te sulmuesi, me takë. Jo po kapi topin, jo po… çfarë të them unë? Ai e shtrin në tokë“.

Troisi (Flamurtari): “Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ne duhet të fitonim. Pati gabim nga arbitri. Lojtari vuri këmbën te topi. Kjo ishte normale këtu. Përse ata duhet të dalin superiorë. Ne e dimë që faza ofensive nuk doli shumë mirë. Unë vetë i kërkoj falje ekipit sot, nuk dolëm me fitore. Ishte një javë me shumë ngarkesë, kemi punuar shumë. Faleminderit presidentit. Flamurtari ëhtë një ekip i madh. Tani do mendoj nëse do vazhdojmë apo jo. Është shumë e vështirë për mua tani. Jam emocional. Është shumë e vështirë për të vazhduar. Kur fitojmë, fitojnë lojtarët. Kur  humbim, humb trajneri. Tani do ulem me presidentin dhe do vendosim çfarë do bëjmë. Jam me nerva tani”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *