Miqësoret me Poloninë dhe Azerbajxhanin, largohet lojtari i Atalantës dhe vjen i Partizanit

Kombëtarja U-21 do të nisë të martën grumbullimin në Antalia të Turqisë në kuadër të përgatitjeve për dy miqësoret e muajit mars të programuara ndaj Polonisë dhe Azerbajxhanit. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi kishte shpallur ndërkohë listën me emrat e lojtarëve të ftuar për këtë miqësore, por lista do të ketë edhe disa ndryshime të fundit.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori i Atalantës, Endri Muhameti, do të mungojë për shkak të një dëmtimi dhe e ka të pamundur të jetë pjesë e skuadrës kuqezi. Sakaq, trajneri Bushi ka vendosur të ftojë edhe dy lojtarë të tjerë për këto sfida. Në dispozicion të ekipit do të jenë Marcelino Preka i Partizanit dhe Ajdi Dajko i AEK Athinës.

Kombëtarja U-21 do të niset për në Turqi mëngjesin e të martës për të zhvilluar në Antalia përgatitjet për ndeshjen. Miqësorja e parë e Shqipërisë U-21 do të jetë kundër Azerbajxhanit më 23 mars, ndërsa miqësorja tjetër do të jetë ajo kundër Polonisë, më 27 mars. Duke qenë se këto janë data zyrtare të FIFA-s, shumë ekipe kombëtare të kësaj grup-moshe do të grumbullohen në Turqi dhe do të shfrytëzojnë këto ditë për të testuar lojtarët.

Stafi teknik do të ketë mundësinë të testojë grupin në një grumbullim që do të zgjasë një javë dhe provojë ekipin dhe futbollistë të rinj që vijnë nga ekipet zinxhir të moshave e që mund të bëhen në vijim pjesë e Shqipërisë U-21 në kualifikueset e Europianit të ardhshëm.

Eliminatoret e Kampionatit Europian për Kombëtaren U-21 do të nisin në muajin shtator, teksa Shqipëria është shortuar në Grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *