Egnatia ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm ditën e sotme. Klubi rrogozhinas prek për herë të parë gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në një intervistë me gazetarin Drilon Xhepollari në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News”, Hysen Memolla zbulon se presidenti i ka mbështetur gjatë gjithë kohës me premio, por nuk ka dhënë më tepër detaje sa i përket shifrave konkrete.
Mbrojtësi i krahut është i qartë në mendimet e tij dhe ka bindjen se Egnatia është ekipi më i kompletuar në “’Abissnet Superiore”. Sa i përket Kombëtares, Memolla pranon se do e priste me kënaqësi një rikthim me fanellën kuqezi, për të cilën shprehet se mund të japë një kontribut shumë të lartë.
“Presidenti na ka mbështetur. Sa herë na ka dhënë shpërblime, nuk na ka lanë asnjë herë pas dore. Kështu që, bravo i qoftë, na ka ndihmuar sa herë presidenti. Shifra që dha për kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë? Nuk më takon të flas për këtë anë. Nuk mund të jap një përgjigje.
Për mendimin tim, ndoshta e kam gabim, Egnatia është ekipi më i fortë i Superiores shqiptare. Pavarësisht se mund të fitojmë dhe mund të gabojmë disa ndeshje, për mendimin tim jemi ekipi me organikën më të kompletuar sot për sot në Shqipëri. Nga eksperienca ime mund të them këtë.
Një ftesë e Kombëtares? Po, normale. Përse jo? Kam qenë disa herë pjesë e Kombëtares. Besoj se kam kualitetin për t’u përshtatur me Kombëtaren. Nëse Silvinjo më thërret, jam i gatshëm. Mund të jap një kontribut shumë të lartë për Kombëtaren“, ka deklaruar Hysen Memolla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/