Partizani e provoi me të gjitha mënyrat që ta eliminonte Vllazninë, por shkodranët kanë marrë humbjen më të ëmbël të sezonit. Ekipi i Josës u mund 1-0 në ditën e sotme, por për shkak të fitores 3-1 në takimin e parë, arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Goli i vetëm i takimit u shënua në pjesën e parë nga Mensah pas gabimit fatal të Gurishtës.
Në pjesën e dytë të kuqtë e shtuan ndjeshëm ritmin. Në disa raste Qarri dhe në të tjera fati, e shpëtuan Vllazninë nga pësimi i golit. Tedi Cara shënoi golin e 2 në minutën e 87, por teksa të gjithë po festonin, VAR ndërhyri dhe goli do të anulohej pasi Da Silva kishte shkaktuar faull më parë. Dy raste të tjera të rrezikshme kishte Partizani në sekondat e fundit të takimit, por në fund është Vllaznia që feston. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “To Bo Gol” në “Oversport”.
Xhaferi (Presidenti i Vllaznisë): “Arritëm të menaxhonim lojën edhe pse në momente të caktuara kemi gabuar, sidomos në pjesën e parë. Loja u hap, Partizani kishte raste, por edhe ne kishim shanset tona. Jemi të kënaqur me kualifikimin, që na vendos para të tjerave përgjegjësive. Duhet ti marrim ndeshjet me radhë, ti vlerësojmë në maksimum ndeshjet, sepse Vllaznia lufton në të dy frontet. E vlerësoj partizanin dhe Tiranën, por edhe Egnatian. Ky kampionat është i fortë nuk ka shumë diferenca, por ka një garë shumë të bukur. Ne si Vllazni do të luftojmë deri në fund në të dyja frontet. Jam i kënaqur për kualifikimin, sepse Kupa ka një specifikë të veçantë. Loja nuk ka qenë në lartësinë e duhur, por këtë do ta analizojmë më pas. Duhet të përmirësohemi për ndeshjen e radhës në kampionat. Strategjia e klubit me të rinjtë? Shkodra prodhon futbollista dhe këtë e ka treguar me kohë. Këto vitet e fundit jemi munduar që të përfshijmë të rinjtë te skuadra e parë. Jam optimist se kemi një brum të mirë, por këto janë projekte që kërkojnë kohë, janë afatgjata. Të rinjtë që luajtën sot u paraqitën shumë mirë. Ne duam që të rinjtë e akademisë të luajnë në skuadrën e parë dhe pse jo më pas klubi të përfitojë nga shitja e tyre. Duam që në të ardhmen Vllaznia të ketë sa më shumë element vendas. Rivali i preferuar në turin tjetër? Më pëlqen kur luajmë kundër skuadrave të kryeqytetit, sepse bëhen ndeshje të bukura dhe spektakolare. Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë, por do të ishte kënaqësi nëse ndeshjen e ardhshme në Kupë të luajmë kundër Tiranës”.
Sinani (zv. Trajner i Vllaznisë): “E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, luanim përballë Partizanit, që është një nga skuadrat më të mira në vend. E tillë është Kupa dhe jemi të kënaqur që arritëm që të kualifikoheshim në gjysmëfinale të këtij turneu. Jam i kënaqur për performancën e portierit Qarri, pasi djemtë e rinj janë arma më e fortë e Vllaznisë. Ata janë e ardhmja e Vllaznisë. Qarri sot ka bërë pritje të shumta, ka meritë te kualifikimi, por është djersa e të gjithë skuadrës. Mund të luanim më mirë, por jemi të kënaqur me kualifikimit, duke ditur edhe vlerat e kundërshtarit. Vllaznia eksperte e Kupës? Jam i bindur që do të shkojmë deri në fund të Kupës dhe kampionatit, që janë objektivat tona. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe besoj që Vllaznia do të jetë pretendente deri në fund si në kampionat edhe në Kupë. Në ndeshjet e Kupës vlen vetëm kualifikimi, prandaj jam i kënaqur me rezultatin e sotëm. Nuk kemi frikë asnjë nga kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/