Partizani e provoi me të gjitha mënyrat që ta eliminonte Vllazninë, por shkodranët kanë marrë humbjen më të ëmbël të sezonit. Ekipi i Josës u mund 1-0 në ditën e sotme, por për shkak të fitores 3-1 në takimin e parë, arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Goli i vetëm i takimit u shënua në pjesën e parë nga Mensah pas gabimit fatal të Gurishtës.
Në pjesën e dytë të kuqtë e shtuan ndjeshëm ritmin. Në disa raste Qarri dhe në të tjera fati, e shpëtuan Vllazninë nga pësimi i golit. Tedi Cara shënoi golin e 2 në minutën e 87, por teksa të gjithë po festonin, VAR ndërhyri dhe goli do të anulohej pasi Da Silva kishte shkaktuar faull më parë. Dy raste të tjera të rrezikshme kishte Partizani në sekondat e fundit të takimit, por në fund është Vllaznia që feston. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “To Bo Gol” në “Oversport”.
Sinani (zv. Trajner i Vllaznisë): “E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, luanim përballë Partizanit, që është një nga skuadrat më të mira në vend. E tillë është Kupa dhe jemi të kënaqur që arritëm që të kualifikoheshim në gjysmëfinale të këtij turneu. Jam i kënaqur për performancën e portierit Qarri, pasi djemtë e rinj janë arma më e fortë e Vllaznisë. Ata janë e ardhmja e Vllaznisë. Qarri sot ka bërë pritje të shumta, ka meritë te kualifikimi, por është djersa e të gjithë skuadrës. Mund të luanim më mirë, por jemi të kënaqur me kualifikimit, duke ditur edhe vlerat e kundërshtarit. Vllaznia eksperte e Kupës? Jam i bindur që do të shkojmë deri në fund të Kupës dhe kampionatit, që janë objektivat tona. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe besoj që Vllaznia do të jetë pretendente deri në fund si në kampionat edhe në Kupë. Në ndeshjet e Kupës vlen vetëm kualifikimi, prandaj jam i kënaqur me rezultatin e sotëm. Nuk kemi frikë asnjë nga kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/