Ilirjan Alliu ishte i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“ për të diskutuar mbi problematikat e futbollit shqiptar. Ish-futbollisti i ekipit kombëtar është shprehur se ngjeshja në tabelën e renditjes tregon mungesën e cilësisë në “Abissnet Superiore“. Alliu thotë se ekipeve të traditës si Tiranës e Partizanit, nuk i lejohen gabimet në kampionat dhe se duhet të mos e diskutojnë fitoren ndaj ekipeve më të vogla në letër.
“Problemi qendron këtu, të mos bëjmë sikur vijmë nga Kina. Ne e dimë çfarë formimi kanë pjesa më e madhe e presidentëve të klubeve. Vjen një president, ka qejf të bëjë emër dhe del nëpërmjet sportit vë emrin atje. Ai s’ka respekt as për traditën, as për autoritetin. Janë çështje organizimi.
Është katastrofë, të mos dallohet vendi i parë me vendin e fundit. Di që Arsenali ka nja 10 ndeshje, ka barazuar vetëm një. Thelbi qendron te kjo dhe po nuk e lexuam drejtë, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtin budallallëk. Tirana si emër, si traditë, jo ekipi i sotëm, apo edhe Partizanit, i lejohet të bëjë një gabim apo 1 gabim e gjysmë në vit. Po bëri dy duhet të shikojë vetën. Nuk mund të gëzohemi sot që kemi rivalitet se Egnatia rreh Tiranën. Duhet të shohi 8 vjet ëndrra që ta barazojë një herë. Si emër dhe si traditë. Nuk po gjykoj qytetin. Klubi i madh është klubi i madh se është autoritar dhe të rreh që kur bën nxehjen”, është shprehur Ilirjan Alliu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/