Silvinjo e ka nisur këtë rrugëtim të ri te Kombëtarja duke i fituar zemrat tifozëve pa debutuar ende në stolin e Shqipërisë. Vetë karriera e tij si lojtar dhe fakti se vjen nga puna si ndihmës trajner i Tites te Brazili, e shton së tepërmi kureshtjen e sportdashësve. Për të kaluar te zgjedhja e jetesës në Tiranë, që në fakt ishte edhe një kusht i presidentit të FSHF, Armand Duka.
Në një intervistë të fundit për median e njohur në Brazil, “Estado”, braziliani tregon se të gjitha taktikat e tij dhe këshillat në stërvitje do të jenë të përkthyera në shqip. Në Kombëtare do të flitet vetëm shqip, pavarësisht se trajneri është i vetëdijshëm që të gjithë futbollistët mund të flasin italisht apo anglisht. Por kur bëhet fjalë për ta mësuar vetë gjuhën tonë, Silvinjo e sheh si mision të pamundur, madje duke e quajtur si një nga më të vështirat në botë.
“Ne kemi një kontratë për një vit e gjysmë. Ta çojmë Shqipërinë në Euro është qëllimi ynë. E kuptojmë që Shqipëria është një Kombëtare pa rezultate të mëdha, por dëshiron të rritet dhe në fakt po rritet. Unë jam i kujdesshëm në ftesat e mia.
Ne në Brazil kemi trajnerë të mirë, të rëndësishëm dhe që dinë të punojnë, duan vetëm pak hapësirë. Jam i lumtur që jam në mesin e tyre. Të jesh trajner i Kombëtares? Ndryshe nga ato që thonë njerëzit, puna nuk mungon. Ke analiza, procese, mendja punon shumë. Më duhet të shoh disa ndeshje, 90 minuta të secilit prej 30 lojtarëve të mundshëm që mund të thirren për ndeshjet e Kombëtares. Të gjithën këtë duhet ta tregojmë në fushë, ta shpalosim aty.
Shqiptari është një sportist teknik në thelb, mbrojtësit dhe ekipet duan të luajnë, nuk janë të ashpër, kanë cilësi teknike. Unë besoj se mund të kualifikohemi se grupi është i balancuar. Këtu lojtarët do të flasin shqip dhe do të dëgjohet vetëm shqip. Deri në 100% të lojtarëve e dinë shumë mirë italishten ose anglishten, por do të kemi përkthim në shqip. Kjo është domsdoshmëri. Të mësoj gjuhën shqipe? Është një nga më të vështirat në botë”, e mbyll rrëfimin e tij braziliani. /Sport Ekspres/