Akademia e Arbitrimit në edicionin e 3-të. Jareci: Ftoj të gjithë djemtë e vajzat të bashkohen me botën magjike të arbitrimit

Akademia e Arbitrimit ka hapur aplikimet për ata që duan të bëhen arbitra të rinj dhe është në fazën e rekrutimeve. Ky proces po udhëhiqet nga Sektorit i Arbitrimit në FSHF dhe shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit (BASHF) që bashkëpunojnë me kolegjiumet e të gjitha qyteteve për të afruar sa më shumë kandidatë që duan arbitra të rinj, djem dhe vajza.

Drejtori i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, ka shpjeguar se si po shkon procesi i aplikimit dhe rekrutimeve për atë që do të jetë edicioni i tretë i Akademisë së Arbitrimit, teksa ka shpjeguar edhe të gjitha faza e kursit që duhet ndjekur për të arritur deri në certifikimin si arbitër. Sipas tij, ka pasur shumë kërkesa nga Tirana, ndërkohë që duhet të ketë edhe më shumë aplikime dhe rekrutime nga qytetet e tjera.

“Jemi në fushatën e rekrutimit të elementëve të rinj. Në momentet që kërkojnë të bëhen pjesë e Akademisë së Arbitrimit të gjithë fillojnë të aplikojnë në kontaktet që ne i kemi publikuar tashmë. Arbitrimi është gjithmonë pjesë e sportit, pra për të qenë më afër sportit dhe edhe pjesë e arbitrimit, sepse sot përveçse bëhet sport me arbitrimin je edhe brenda një profesioni, që është sa i vështirë dhe i bukur, sepse lidhet me shumë pjesë të personalitetit të një individi. Numrat janë të kënaqshëm, por ka një numër të pakët aplikimesh nga rrethet. Tirana ka në numër shumë të mirë aplikimesh. Faza e parë është faza e prezantimit me pjesën e prurjeve të reja. Faza ndërmjetëse mes fazës së parë dhe të dytë, të gjithë kursantët, arbitrat e rinj janë pjesë e kolegjiumeve, marrin pjesë në të gjithë aktivitetet e ligës amatore, ku ata bëjnë rolin e arbitrit dhe të asistentit dhe pastaj kemi fazën e dytë që gjithashtu ka një periudhë 1-javore, teorike, por edhe me një pjesë të praktikës në fushë dhe mbyllet pastaj me testin teorik të rregullores së lojës dhe me një mini-test fizik”, – thotë Jareci për Fshf.org.

Të gjithë arbitrat e dalë nga kjo Akademi do të kenë mundësi ta nisin eksperiencën e tyre në këtë profesion nga ligat amatore apo nga kampionatet e moshave, për të ngjitur më pas gradualisht drejt futbollit elitar. Jareci u bën apel të gjithë djemve dhe vajzave, të cilët kanë qenë të përfshirë në botën e bukur të futbollit, që të bëhen pjesë e këtij profesioni, që është sa sfidues aq edhe i bukur e që jep mundësi të vazhdojnë të jenë pjesë e futbollit si abitra.

“Të gjithë do të pajisen me certifikatën e arbitrimit që përkon me kategorinë e tretë personale për individin. Ato do të jenë pjesë e ligave amatore po gjithashtu në ndeshjet e U-17 dhe U-19 të Kategorisë së Parë dhe në një periudhë shumë të shkurtër do të jenë pjesë edhe e Kategorisë Superiore të këtyre moshave. Dua t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit aktiv, djemve dhe vajzave që janë aktivë në futboll, të cilët shikojnë tek vetja që nuk mund të ecin në nivele shumë të larta të futbollit. Mund të bëhen pjesë e Akademisë së Arbitrimit. I bëj thirrje atyre që për arsye shëndetësore janë larguar nga futbolli por kanë dëshirë të jenë pjesë e futbollit, ju lutem bashkohuni me Akademinë e Arbitrimit, sepse do të vazhdoni të jeni pjesë e botës së bukur të futbollit. Gjithashtu një thirrje për të gjithë studentët e degës së sporteve në universitetet e sporteve ose në shkollat e mesme sportive, i ftoj që edhe ato të bëhen pjesë e botës së bukur të arbitrimit, sepse do të shohin arbitrimi sot është një profesion shumë i bukur, është një profesion i mirëpaguar si pak profesione sot në Shqipëri”, – ka deklaruar Jareci në prononcimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *