Kombëtarja shqiptare e vajzave nisi të hënën grumbullimin 7-ditor në Ulqin të Malit të Zi. Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Armir Grima ka ftuar në këtë grumbullim 22 lojtare, një pjesë e të cilave vijnë rishtazi në ekipin kombëtar.
Duke folur për fshf.org në lidhje me këtë grumbullim, tekniku kuqezi u shpreh se qëllimi kryesor i këtij grumbullimi është për të parë gjendjen fizike të lojtareve të Kombëtares, si edhe për t’u përgatitur sa më mirë e për të përmirësuar sa më shumë në kuadër edhe të impenjimeve të ardhshme të vajzave kuqezi.
“Është një grumbullim shumë i rëndësishëm pasi do të kemi mundësi që të shohim dhe të testojmë gjendjen e vajzave, sa aktive janë dhe do të mundohemi gjatë këtyre ditëve t’u japim një ‘goditje’ fizike për të përmirësuar më shumë aspektin fizik të tyre. Mendojmë që në muajin prill të organizojmë dy ndeshje miqësore dhe ky grumbullim na intereson të përgatitemi dhe të shohim edhe se ku jemi me gjendjen e vajzave dhe t’i ngarkojmë pak me ngarkesa fizike gjatë këtyre 7 ditëve që do të jenë shumë intensive” – thotë trajneri Grima për fshf.org, ndërsa flet edhe për elementet e reja që ka ftuar në këtë grumbullim 7-ditor.
“Ne vazhdimisht ua kemi dhënë dorën elementëve të rinj që të jenë afër ekipit tonë. Sigurisht që këto ditë janë të mira që të shohim edhe gjendjen e këtyre vajzave që kemi afruar për herë të parë, të shohim cilësitë e tyre dhe uroj që të na shërbejnë dhe t’i kemi pjesë të ekipit tonë edhe në vazhdimësi” – nënvizon trajneri Armir Grima në prononcimin e tij për fshf.org.