Skënderbeu mori një pikë të rëndësishme kundër Dinamos në Kategorinë e Parë, ku është në garë për t’u rikthyer sërish në elitë. Në një intervistë me emisionin “Sport Magazine“, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, Hektor Idrizaj ka thënë se dëshira në klub është e madhe për t’ju rikthyer edhe një herë epokës së lavdishme të skuadrës korçare. Një kohë që sipas tij do të vijë shumë shpejt. Sa i përket trajnerit më të mirë me të cilin ka punuar, Idrizaj veçon Ilir Dajën, puna e të cilit ka lënë një përshtypje mjaft të mirë te lojtari.
“I gjithë opinioni i qytetit të Korçës mezi po e pret rikthimin e atij Skënderbeu të lavdishëm. Ngjasat janë që do të kthehet shumë shpejt. Nuk kam ndonjë informacion të detajuar, por shpresa vd.es e fundit. Me disa llogari të thjeshta, me sa mbaj mend, edhe shumë pak kohë i ka mbetur Skënderbeut nga dënimi që ka. Kështu që besoj se do të rikthehet shumë shpejt edhe më i fortë seç ka qenë. E rëndësishme është dëshira që shoh në klub, që nga drejtuesit, që nga stafi, që nga njerëzit që e rrethojnë klubin, duan të kthehen sa më shpejt atje ku kanë qenë.
Trajneri më i mirë? Është një listë e gjatë trajnerësh, por do të veçoja Ilir Dajën. Nuk është nga këta njerëzit pompozë nëpër media, por nëpërmjet punës e ka treguar se çfarë niveli ka. Është një trajner shumë kërkues dhe do një fokus të jashtëzakonshëm të përditshëm. Duke punuar me të e kupton futbollin më thjeshtë”, ka thënë Hektor Idrizaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/