“Më hidhëron momenti që nuk japin penallti pë Partizanin”, Mehmeti pas humbes në derbi: VAR-i nuk duhet të ndërhyjë fare

Nuk ka më pritje. Tirana shpallet zyrtarisht kampione e “Abissnet Superiores“ për këtë sezon. Pas disfatës me Laçin dhe Kastriotin dhe barazimit me Teutën, tashmë bardheblutë mund të festojnë lirshëm titullin numër 26 në historinë e tyre. Duket se zyrtarizimi ishte lënë për derbin ndaj Partizanit, për të shijuar kështu suksesin më të ëmbël të arritur ndonjëherë. Megjithëse i zhvendosur në Elbasan, derbit nuk i mungoi spektakli as në fushë e as në tribuna. Skuka hap i pari serinë e golave, teksa në minutën e 20 realizon ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij. Një goditje me roveshatë dhe festa e çmendur me tifozët e “demave të kuq” është e pashmangshme.

Por epërsia zgjat pak, pasi 7 minuta më vonë Seferi shkund rrjetën e Alban Hoxhës. Sulmuesi i Tiranës e kërkonte me ngulm golin dhe shfryn menjëherë gjithë nervat dhe tensionin e grumbulluar në momentin që feston. Ndërkohë pjesa e dytë nis me përmbysjen e bardhebluve. Vetëm pak sekonda nga nisja e lojës dhe Enur Totre dhuron një magji nga distanca. Skuka kërkon një penallti pak minuta më vonë, por pas rishikimit të pamjeve me VAR, Hamiti ndryshon mendim dhe e lë lojën të luhet. Skuadrat kanë kërkuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, por pa mundur të ndryshojnë fatin e derbit. Tirana fiton me rezultatin 1-2 dhe shpallet kështu kampione e “Abissnet Superiores”. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli“ në “Supersport”.

Mehmeti (Partizani): “Ishim shumë më superiorë në momentin që arritëm të shënonim. Kishim edhe një rast me Carën, që duhet ta zgjidhte më mirë situatën. Duhet të ishim me këmbë në tokë. Goli i parë ishte një gol që nuk duhet ta pësonim. Edhe te goli i dytë ishte e pafalshme. Në të tilla ndeshje lojtarët përjetojnë në aspektin emocional dhe bëjnë gabime. Të jem i sinqertë më hidhëron shumë momenti që nuk akordohet penallti për Partizanin. E shikon VAR-i dhe nuk e jep, kur kishte kontakt. Titullin kampion kam qenë vetë prezent kur e kemi fituar kundër Tiranës dhe nuk më intereson (fakti që Tirana fiton titullin në derbi). Kur e jep vendimin gjyqtari që ka kontakt te Skuka, nuk ka pse ndërhyn VAR-i në këtë rast. Është penallti e pastër. Nuk ka protestuar fare Hoxhallari. Megjithatë ç’ti bëjmë. Kjo është mënyra e arbitrimit”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *