Tjetër grumbullim te Kombëtarja e Shqipërisë, talentet nuk vëzhgohen vetëm nga Cungu

Ekipi Kombëtar U-17 do të zhvillojë të enjten (datë 25 shkurt 2021) një seleksionim me lojtarë të vitlindjeve 2005-2006 nën drejtimin e trajnerit të ri Ervin Bulku. Kjo mund të quhet edhe premiera e Bulkut, i cili u emërua në këtë post pak javë më parë dhe tani do të nisë punën në terren.

Në këtë seleksionim, që starton në ora 10:30 në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz, do të jenë të ftuar rreth 45 lojtarë, të cilët aktivizohen që të gjithë në kampionatin shqiptar. Synimi i trajnerit Bulku është që evidentojë të gjithë të talentuarit e moshës 16 dhe 15 vjeç e që mund të jenë të vlefshëm për ekipin Kombëtar U-17.

Duke mbajtur nën vëzhgim të gjithë elementët e perspektivës, stafi teknik do të ketë mundësinë të ndërtojë gradualisht bazat e skuadrës së të ardhmes dhe gjithashtu furnizimi i ekipeve kuqezi të moshave me lojtarë të rinj. Duke qenë se aktualisht ekipi Kombëtar U-17 nuk ka ndeshje zyrtare të parashikuara, trajneri Bulku po përgatit grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022 për moshën U-17.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *