Kthen edhe Solomonin e vëzhguar në Beograd, Daja tjetërson Partizanin për ta shpallur kampion

Në të keqen duhet të gjendet e mira! Kështu Ilir Daja mblodhi forcat, përveshi mëngët dhe ia nisi punës te Partizani pasi mësoi se merkato e klubit do të qëndronte e bllokuar dhe të kuqtë nuk kishin mundësinë e përforcimit në verë.

Trajneri i kryeqytetasve nuk kishte mundësinë për të marrë dëshirat e tij, por nga ana tjetër i’u dha mundësia që të punonte me lojtarët që ishin pjesë e Partizanit. Në këtë mënyrë do të njihte më mirë problematikat dhe hapësirat që duhen mbushur në skuadër, që transferimet të mos jenë shpenzime të kota.

Ilir Daja e ka nisur menjëherë që të tregojë fytyrën e trajnerit triumfues në skuadrën që objektivin për t’u shpallur kampion e mban të nënkuptuar. Pikësëpari trajneri i Partizanit ka rikthyer Solomonin për të cilin Olsi Rama ka udhëtuar për ta parë deri në Beograd. Një sulmues tërësisht i tjetërsuar nga i sezonit të shkuar, që rezultonte si një nga dështimet më të mëdha të Partizanit.

Një saktësi kirurgjikale dhe shumë teknikë që e bënë të shënohet edhe në listën e golashënuesve kundër Skënderbeut. Për të vazhduar më tej, Daja ka rikthyer edhe pak nga baza e Partizanit kampion të Gegës. Kështu bëhet fjalë për Esat Malën që po kthehet në kulmimin e dikurshëm pas gjithë luhatjeve të sezonit të shkuar, nisur edhe nga vendimet e pakuptimta për të dhënë shembull nga klubi.

Gjithashtu rolin e protagonizmit ka nisur që ta marrë Bardhi, pa harruar edhe rëndësinë në lojë të Kardozos. Pa harruar këtu edhe transformimin e Idrizajt, që herë pas herë del nga vetja për të bërë më tepër se vetë protshmëritë.Daja është duke ndërtuar një makineri e cila tashmë ka filluar që të marrë shpejtësinë e kërkuar që ta dërgojë Partizanin drejt përfundimit, për të prerë i pari shiritin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *