Superiorja ka zhvilluar javën e pestë të saj atje ku Partizani ka marrë kryesimin e kampionatit përpara derbit me Tiranën. Bardheblutë do të ndaleshin në barazim kundër Kastriotit, ndërsa në krahun tjetër ishte Kukësi që ia doli në përballjen delikate kundër Vllaznisë. Oltijon Kërnaja ka përgatitur edhe formacionin më të mirë të kësaj jave për “Sport Ekspres”, duke përzgjedhur 11-shen që ka shkëlqyer në vendosjen 1-3-4-3.
Bekaj- E kemi theksuar edhe më përpara, Bekaj është goditja më e mirë e merkatos te kampionët. Nëse Tirana doli me pikë nga Kamza, meritat kryesore i shkojnë gardianit.
Shkalla: Ndeshje shumë e mirë nga shtatlarti i Kastriotit, edhe pse kishte kundërshtar më të shpejtë se ai, por nuk hasi vështirësi.
Bytyçi- 19 vjeçari u afrua tek Kukësi si për të dubluar qendërmbrojtësit në rast mungesash, por sot tregoi se është e ardhmja e mbrojtjes së Kukësit, fitojë dyluftimet me sulmuesit e Vllaznisë, i qetë dhe u mundua të korrigjonte dhe gabimet e Lulajt, shokut të repartit.
Allan- Braziliani i Bylisit ishte në lartësinë e duhur, duke bllokuar sulmuesit e Teutës në të gjitha rastet. Hebaj-Krasniqi-Bregu…
Limaj: Mesfushori i Kukësit tregoi shumë cilësi, me të në fushë Kukësi mund të ndryshojë shumë herë mënyrën e të luajturit, lojtar që përshtatet në shumë pozicione, e nisi si mesfushor qendre para mbrojtjes, së bashku me Taipin dhe pas daljes së Eze, përfundoi si sulmues qendre, por edhe aty arriti të linte shenjë, duke shënuar.
Taipi- Një ndër mesfushorët më të mirë , për mos të thënë më i miri, karakter, cilësi, vizion, fizik. Përveç lidhjes se reparteve mes njëri-tjetrit, mbrojtje-mesfushë, sot kishte shumë ide në manovrën sulmuese.
Mala- Partizani në vend të parë dhe duket se merkato e mbyllur i ka bërë mirë, duke u fokusuar tek lojtarët dhe grupi aktual. Mala duket se ka rifituar formën, një gol super dhe një tjetër asist.
Marku- Nica e vendosi ne pozicionin e tij natyral, si mesfushor i avancuar dhe 20 vjeçari ishte i papërmbajtshëm ne krah.
Ibrahimi-Sulmuesi qe i duhej Kukësit, 2 gola me shumë vlerë në një moment të vështirë, që ndryshuan rrjedhën e lojës.
Nuabueze- Nëse është në formë të mire fizike, goli është specialiteti i tij. Tre gola sot, për te sjell pak qetësi tek Laçi.
Solomon- Daja duket se ia zbuluar sulmuesin që Partizani solli me bujë para një sezoni, por që sezonin e kaluar nuk la asnjë shenjë. Shumë metra të përshkruara nga sulmuesi, sakrificë dhe dëshirë për ta ndihmuar skuadrën, goli ishte si dhuratë për punën e zhvilluar sot. Tjetër lojtar nga sezoni i kaluar.
Trajner: Ilir Daja, të gjithë mendonin Partizanin të rrezikuar për shkak të bllokimit të merkatos, por fusha ka treguar tjetër gjë. Partizani ngjitet në krye, edhe pse akoma nuk ka rikuperuar Asanin. Partizani i drejtuar nga Daja shpall kandidaturën për titull kampion. /Sport Ekspres/