“Zonja” nuk ka të ngopur, asnjë shans Lacios në kupë

0

Juventusi fiton Kupën e Italisë për të 12-ën herë dhe e bën këtë përballë Lacios, skuadër e fortë fizikisht, por që kurrë nuk diti të imponohet përveç ndonjë rasti sporadik me anë të individualiteteve. Alegri mund Inzagin dhe Juventusi rikthehet të mos gabojë pas tri ndeshjeve zhgënjyese në kampionat, duke arritur trofeun e parë të “tripletës”.

Ndeshja nis e shpejtë me Lacion që me Keitan në një kundërsulm, arrin të godasë shtyllën me Neton që mbetet spektator. Duket se për bardhezinjtë sapo ka nisur “ferri”, por në fakt do të jetë e kundërta. Në të 6’ Higuain godet fuqishëm portën e Lacios, por Strakosha grushton duke evituar rrezikun. Megjithatë, në të 12’ bardhezinjtë kalojnë në avantazh. Kros nga e majta e Aleks Sandros, Dani Alvesh del i pambuluar në të djathtë dhe me këmbë përplas topin në tokë duke gënjyer portierin shqiptar që nuk arrin dot të devijojë topin. Por gardiani i Shqipërisë nuk do të mungojë në apel, teksa porta e Lacios kthehet në një tabelë qitjeje nga ana e sulmeve të vazhdueshme bardhezi. Dibala tenton nga larg, por Strakosha i mohon shënimin e golit. Siç bën në të 17’ portieri i kombëtares kuqezi që, në fillim devijon goditjen e Dibalës dhe më pas, i ndodhur vetëm për vetëm me Higuainin i futet te këmbët argjentinasit dhe devijon sërish duke mos pësuar gol. Por, në të 22’ nuk ka ç’të bëjë kur Bonuçi, i ardhur nga mbrapa mbrojtjes në një goditje këndi, fut në rrjetë topin me këmbë duke çuar shifrat në 2-0. Një Lacio inekzistente në pjesën e parë me një Juve shumë të fortë që vetëm Strakosha i ndal goleadën që në 45’ e para.

Pjesa e dytë paraqet një Lacio më agresive, edhe pse duket se Alegri ka bërë “bllok” në mbrojtje dhe në mesfushë, atje ku të besuarit e Inzagit vuajnë. Keita është thuajse i markuar gjithmonë, teksa në fushë Inzagi hedh dhe Felipe Anderson. Juve nuk shkon më aq shpesh në anët e Strakoshës nëse jo përmes ndonjë kundërsulmi. Menaxhimi i rezultatit dhe i fuqive për bardhezinjtë është gjithçka që ata bëjnë. Imobiles i mungon shënjestra, teksa edhe Neto thërritet në apel duke u përgjigjur “i pranishëm” në momentin e goditjes më të rrezikshme, atë të Imobiles. Nuk ka gol më në “Olimpico” dhe Juventusi fiton trofeun e Kupës së Italisë për të 12-n herë dhe për të tretën herë radhazi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.