“Zbulimi” Gavazaj: Viti i duhur, Skënderbeu i fiton të dy trofetë

0

Leonard Trebicka

Erdhi verën që shkoi te Skënderbeu dhe me Andrea Agostinelin ën stol kishte pak hapësira. Me ardhjen e Dajës, Enis Gavazaj ka luajtur më shumë dhe në javët e fundit po shkëlqen, duke merituar plotësisht vendin në formacion. Në Laç, ish-lojtari i Prishtinës, Gentit dhe Roeselares në Belgjikë, ka treguar një formë të shkëlqyer. Por edhe ai, si gjithë lojtarët e tjerë të Skënderbeut, nuk flet për veten, por për suksesin e ekipit, që është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Gavazaj ka përfituar nga dita e pushimit dhe dje ndodhej pranë familjes në Prizren, nga ku ka dhënë këtë intervistë për “Sport “Ekspres”:

– Gavazaj, prej disa ndeshjesh jeni titullar dhe dukeni “i rilindur”…

– Fakti që po luaj titullar më ka gëzuar, është e natyrshme. Po mundohem të kontribuoj sa më shumë për ekipin tim, duke bërë detyrën në fushë.

– Jeni një lojtar “xhol”, pasi keni bërë mbrojtësin e krahut dhe pozicione të ndryshme në mesfushë. Ku ndiheni më mirë?

– Aty ku ka nevojë skuadra. Sa herë më është kërkuar nga trajner të bëj një rol të caktuar, jam munduar ta bëj në mënyrën më të mirë dhe kaq.

– Skënderbeu ka fituar thellë në transfertën e vështirë të Laçit dhe ekipi duket në formë. Çfarë ka ndryshuar?

– Ishte vërtet një transfertë e vështirë ajo në Laç. Po, po luajmë mirë dhe nuk mund të them se ka ndodhur ndonjë ndryshim. Të gjithë po japim maksimumin në fushë dhe po fitojmë. Mendoj se e merituam plotësisht trepikëshin në Laç, ku e përsëris, bëmë vetëm detyrën.

– Keni bërë gjithçka mirë këto javë të fundit, por ju mungon goli në kampionat. Pse?

– E rëndësishme është që skuadra të ecë përpara dhe jo të shënojë Enis Gavazaj. Gjithsesi, shpresoj që në javët e mbetura të shënoj. Jam njësoj i gëzuar edhe kur jap pasin e fundit. Tre pikët janë ato që vlejnë në fund dhe jo golat e njërit apo tjetrit lojtar.  

– Luftoni për titullin dhe jeni edhe në finale të Kupës së Shqipërisë. Cilin trofe do të kërkoni më fort?

– Për Skënderbeun të dy trofetë janë të rëndësishëm. Personalisht, kam sezonin e parë te Skënderbeu dhe shpresoj të sjell të dy trofetë në Korçë, kuptohet bashkë me shokët e ekipit. Kjo është një dëshirë, që do të përpiqemi të gjithë bashkë ta bëjmë realitet.

– Prej disa javësh po shohim Skënderbeun e vërtetë, atë që prisnin në Korçë…

– Jemi përpjekur gjithmonë, por nuk na eci në gjysmën e parë të sezonit. Mendoj se me këtë ritëm që kemi kapur do t’ia dalim deri në fund. Të gjithë po na mbështesin dhe kjo skuadër duket se është “gatuar” për tituj.

– Në aspektin personal, si ndihet Gavazaj dhe a do të largoheni në verë nga Skënderbeu?

– Jam ambientuar mirë me grupin, lojtarët, por edhe me qytetin e Korçës. Gjithçka ka ecur mirë. Duhet të mendoj për ekipin dhe objektivat e sezonit, pasi kemi edhe 6 javë deri në fund. Për gjërat individuale do të flas në kohën e duhur, në periudhën e  verës. Jam i fokusuar te kampionati tani, nuk në intereson gjë tjetër.  

– Jeni shumë kosovarë në Korçë. Me cilët lojtarë qëndroni shumicën e kohës?

– Po, jemi shumë shokë nga Kosova te Skënderbeu dhe ndihemi shumë mirë. Përveçse janë lojtarë shumë të mirë, janë edhe djem të shkëlqyer. Ka pak Kosovë brenda Skënderbeut dhe kjo më kënaq jo vetëm mua, por të gjithëve.  

– Javën e ardhshme luani në Gjirokastër. Si e parashikoni?

– Për ne është e qartë se në çdo fushë duhet të fitojmë për të shkuar te titulli. Edhe në ndeshjen e radhës do të luftojmë për fitore. Duhet të japim maksimumin dhe këtë do të bëjmë, pasi nuk na lejohet asnjë hap i gabuar.

– Edhe 6 javë deri në fund, ku ju duhet të fitoni, por duhet që edhe të gabojnë rivalët…

– Nuk na interesojnë shumë rivalët. Na intereson vetëm Skënderbeu dhe kam besim se do t’i fitojmë 6 finalet e mbetura.

– Çfarë u premton Enis Gavazaj tifozëve korçarë?

– U premtoj të dy trofetë. Të gjithë ne lojtarët e Skënderbeut, kur kemi veshur fanellën e tij, kemi premtuar trofe. Pse të mos jetë ky viti i dy trofeve? Skënderbeu nuk e ka bërë këtë gjë më parë dhe besoj shumë se ka ardhur momenti.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.