VIDEO | Tirana bind, Ngo dhe Hasani “djegin” Laçin

Tirana ka marrë një fitore bindëse 3-0 kundër Laçit, në ndeshjen e parë çerekfinale mes të dyja skuadrave, që u luajt në “Selman Stermasi”. Bardheblutë e drejtuar nga Ardian Mema patën një fillim të ngadaltë, por në pjesën e dytë bënë gjithçka mirë dhe shënuan tri herë.

Fillimisht, ishte sulmuesi britanik, Majkëll Ngo ai që gjeti rrjetën. Pas një krosimi të shkëlqyer nga Eni Imami, shtatlarti i sulmit i vodhi kohën mbrojtjes kurbinase dhe shënoi me kokë, duke shtangur portierin Selmani. Pas 53 minutash lojë, Tirana në avantazh.

12 minuta më vonë, do të ishte sërish Ngo ai që do të shënonte. Një pasim nga Hoxhallari kontrollohet mirë nga sulmuesi britanik, i cili shmang dy mbrojtës kundërshtar brenda zonës dhe shënon me të djathtën. Goli i tretë mbajti firmën e Hasanit në minutën e 73’, gol që vendosi dhe rezultatin final të sfidës.

KUPA E SHQIPËRISË – FAZA ÇEREKFINALE

E mërkurë, më 13 mars, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA – LAÇI   3-0
Ngo 53′ 65′, Hasani 73′

Tirana: Abibi, Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari, Mauexhe, Karabeci, Hasani, Kobina (Doka 84′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Jonuzi (Çokaj 64′), Najdenov, Xhixha (Prengaj 82′) , Mane (Shtubina 61′). Trajner: Besnik Prenga

Gjyqtarë: Laver Alla, Edlir Malo, Marjus Qose, Ardian Beqiri
Delegat: Marjus Sulejmani; Vëzhgues: Ilirjan Kristo

Kartonë të verdhë: Ngo 60’, Hoxhallari 76′, Turtulli 82′ / Sefgjini 74′

EPISODET

90+’ Mbyllet takimi, triumfon Tirana

73′ Gooool Tirana!  Një aksion perfekt mes Kobina dhe Majkëll Ngo konkretizohet me gol nga Edon Hasani, i cili gjendet në vendin e kohën e duhur brenda zonës

65’ Gooool Tirana! Majkëll Ngo shënon golin e dytë personal dhe dyfishon avantazhin e Tiranës. Sulmuesi e mbron mirë topin brenda zonës, rrotullohet dhe godet bukur, duke mposhtur Selmanin në cepin e largët të portës

53’ Goooool Tirana! Sulmuesi Ngo shënon me kokë, duke mposhtur portierin Selmani. Një krosim perfekt nga Imami gjen kokën e britanikut, i cili i jep udhë sferës drejt rrjetës. Në avantazh Tirana

45’ Mbyllet mes polemikash pjesa e parë

39’ Sërish i anulohet goli Tiranës. Hasani është në pozicion të rregullt në momentin kur Ngo e shërben. Numri 16 i bardhebluve shmang portierin Selmani dhe shënon, por sërish anësori anulon gjithçka

38’ Tirana bën një kundërsulm perfekt dhe Maveje niset nga mesi i fushës, shërben për te Ngo. Sulmuesi britanik pason te Greca që shënon, por për gjyqtarin, shtatlarti i sulmit është në pozicion të parregullt. Nga pamjet e përsëritura, duket qartë se sulmuesi Ngo është në pozicion të rregullt

23’ Kërçiku bën gjithçka mirë në krahun e djathtë, riblon kundërshtarin e tij dhe pason te Kobina brenda zonës. Sulmuesi gjuan me të majtën, por goditja e tij ndalet pa probleme nga Selmani. Gjuajtja e parë në portë në këtë takim

18’ Minuta shumë të qeta. Topi qarkullohet vetëm në mesfushë, aty ku të dyja skuadrat luftojnë shumë. Tirana provon të dalë nga krahët me Hoxhallarin dhe Kërçikun, por kurbinasit mbrohen mirë deri më tani

10’ Xhixha driblon mirë në mesin e fushës dhe mundohet të depërtojë në hyrje të zonë, por Turtulli e ndal me faull. Krosimi më pas nuk sjell asgjë për skuadrën e Laçit

1′ Fillon takimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online