Tramexani flet si shqiptar: Fitojnë kuqezinjtë!

0

Ish-zëvendësi i Xhani De Biazit të Shqipëria, Paolo Tramexani, ka dhënë një intervistë për Il Corriere della Sera, duke folur natyrisht për ndeshjen e nesërme mes Italisë e Shqipërisë. Si një njohës i mirë i shqiptarëve dhe mentalitetit tonë, Tramexani u shpjegon italianëve çfarë i pret nesër: “Ndeshjen do ta shoh në televizion, ndoshta vetëm, sepse është më mirë ashtu. Do të fitojë Shqipëria. Për ata është një finale Botërori, nuk është thjesht një ndeshje, por është historike. Ne italianët as që arrijmë ta kuptojmë. Italia është më e fortë, por Shqipëria ka nevojë për pikë, pas humbjes kundër Izraelit. Entuziazmi dhe organizimi i lojës mund të bëjnë diferencën. Ka të drejtë De Biazi: Italia zgjodhi Palermon sepse kishte frikë nga tifozët shqiptarë. Federata shqiptare më dërgoi një biletë për në tribunën e nderit, edhe De Biazi këmbëngulte, por pastaj e kuptoi që nuk mund të shkoja, jemi në një moment delikat te Lugano dhe nuk do ishte serioze, pasi vendi im është këtu. Edhe me RAI-n ndaj e ndërpreva bashkëpunimin, nuk mund të bëja dy punë paralelisht”.

DE BIAZI – “Do t’i jem mirënjohës përjetë. Kanë qenë vite të çmendur, me shumë punë dhe entuziazëm. Kemi ndërtuar një skuadër që ishte në fundin e ciklit të vet, duke kërkuar lojtarë nëpër gjithë Europën, edhe nëse nuk kishin lindur në Shqipëri, por kishin origjinë shqiptare. Federata nuk kishte ndonjë listë, kam kaluar ditë të tëra në internet, kam bërë 157 udhëtime, monitoruar 112 lojtarë dhe grumbulluar 68 prej tyre”.

EUROPIANI – “Kënaqësi unike. Kujtimi më i fortë është një grua e moshuar, e veshur me zeza, e përlotur kur ne u kthyem nga udhëtimi në Armeni. Nuk ishte aspak e thjeshtë. Edhe unë, ashtu si De Biazi, ndihem pjesërisht shqiptar. Kam njohur kulturën e Shqipërinë, kam kuptuar sa të pakuptimtë ishin disa paragjykime, por edhe kontradiktat e një toke të pabesueshme. Një herë kalova 3 ditë i mbyllur në një hotel në Selanik, duke provuar të bindja Ergys Kaçen të zgjidhte ne dhe jo Greqinë”.

JANUZAJ – “Mund të zgjidhte Belgjikën, Shqipërinë, Serbinë dhe ndoshta edhe Anglinë. Unë e De Biazi shkuam të takonim gjyshin e tij, në një fshat të izoluar, si në filma. Nuk ishte një film me përfundim të lumtur, ai i tha ‘po’ Belgjikës, edhe pse nuk rezultoi ndonjë zgjidhje e shkëlqyer. Dukej një lojtar i përzgjedhur nga fati, me të ardhme të madhe, por nuk ndodhi ashtu. Me të në sulm Shqipëria do të kishte bërë një hap gjigant përpara. Megjithatë, cilësia nuk mungon: Hysajn e njohim, pastaj Strakosha po rritet te Lacio, Basha e Memushaj kanë eksperiencë, Sadiku është lojtar gjithnjë i rrezikshëm dhe do të rritet edhe Manaj”.

LUGANO NË FABRIKË – “Dëshiroja t’u tregoja se ç’do të thotë të punosh. De Biazi më ka pësuar që me futbollistët duhen përkëdhelje, por edhe ndonjë fshikullim. Sidoqoftë, atë punën e fabrikës do ta bëja sërish, nuk jam penduar”.

AVENTURA E RE – “Eksperienca më Shqipëri më ndryshoi jetën, më bëri të kuptoja shumë gjëra. Për shembull, që dua të jem trajner i parë, duke marrë përgjegjësi totale mbi vete. Ishte momenti i duhur, De Biazi më kuptoi menjëherë, kur ia thashë para 6 muajsh”.

PREMTIMI – “De Biazi tha që nëse fiton do ta bëjë në këmbë Rrugën e Santiagos në Spanjë? Nëse ndodh vërtet, do të shkoj edhe unë me të”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.