Tirana përmbys Vllazninë, vendos Muça

0

Golat e Gentian Muçës kanë zhvlerësuar rrjetën e Çinarit, duke i mbajtur bardheblutë në garën për titullin kampion

 

Armand Halili

Tirana – Vllaznia  2-1

 

Shënues: Muça 61’, 76’ / Çinari 33’

 

E dielë, 12 prill 2014, në stadiumin Kombëtar, “Qemal Stafa”, Tiranë

Tirana: Bakaj, Kërçiku (Bulku 60’), Muça, Ristevski (Kalari 46’), Curri, Karabeci, Taku, Muzaka, Kahata, Bushiç (Bakaj 46’), Ndikumana. Trajner: G.Magani

Vllaznia: Sherri, Marku, Tafili, Krymi, Çinari, Guri (Dema 46’), Lika, Beqiri, Gocaj, Hajdari (Gurishta 67’), Baci. Trajner: L.Zimjani

Gjyqtarë: L.Jemini, E.Doda, G.Bimi (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Curri, Muazaka

Kartonë të kuq: / Beqiri

 

Golat

33’ Çinari avancon në drejtim të zonës bardheblu dhe në një distancë relativisht të largët në pozicion ballor me portën lëshon një silurë dhe topi ndalet në rrjetë. 0-1

61’Bakaj nga ekzekuton një goditje dënimi nga krahu i majtë i sulmit të Tiranës dhe Muça me kokë godet, saktë dhe barazon shifrat. 1-1

76’ Krosim nga këndi në zonën e Vllaznisë dhe Ndikumana ul bukur me kokë për Muçën, i cili këtë herë duke përfituar edhe nga rrëmuja gjuan fort dhe e dërgon topin në rrjetë. 2-1

 

Episodet

2’ Ristevski provon të gjejë rrjetën me një goditje në kufijtë e zonës, por topi del jashtë kuadratit.

9’ Muzaka kroson bukur në zonën shkodrane dhe Ndikumana gjuan me kokë, por topi është mbi traversë.

29’ Tafili arrin të shmangë një nga mbrojtësit e Tiranës dhe në kufijtë e zonës godet fort, por sfera kalon ngjitur me shtyllën pingule.

35’ Ndikumana kundërpërgjigjet me një goditje të fortë nga distanca, por topi është jashtë kuadratit.

45’+2’Ndikumana shmanget bukur në krah dhe kroson, por portieri Sherri është më i shpejtë dhe arrin të grushtojë.

46’ Kalari kroson nga një goditje dënimi dhe Muça me kokë arrin të kërcejë më shumë se mbrojtësit kundërshtarë, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.

55’ Taku humbet një top në prapavijë dhe Dema përfiton duke avancuar i vetëm në drejtim të katërkëndëshit bardheblu, por nuk gjuan dhe aksioni humbet rrezikshmërinë.

 

 

Tirana ka arritur një fitore me shumë vlera në ndeshjen e djeshme ndaj Vllaznisë të luajtur në “Qemal Stafa”, duke mbajtur hapin e skuadrave që janë në garë për titullin kampion. Edhe pse kanë pasur përballë një skuadër të re në moshë, të besuarit e Maganit, kanë hipotekuar trepikëshin vetëm në pjesën e dytë ku Gentian Muça, ka arritur të shënojë dy gola, që kanë zhvlerësuar rrjetën e Çinarit në 45’ minutëshin e parë. Duhet thënë se aktivizimi i Bakajt dhe Bulkut në pjesën e dytë të ndeshjes, i ka dhënë një tjetër ritëm lojës së bardhebluve.

Pjesa e parë – Që në minutat e para të takimit, Tirana hidhet në sulm për të gjetur golin e avantazhit, por nuk e ka të lehtë që t’i afrohet portës kundërshtare, duke qenë se mbrojtja e Vllaznisë është e organizuar mjaft mirë. Ristevski lëshon shkëndijën e parë në portën shkodrane me një gjuajtje nga jashtë zone, por sfera topi është jashtë kuadratit dhe nuk ka asnjë problem për portierin e Sherri. Minutat kalojnë dhe Tirana e shton presionin, por pa krijuar aksione të qarta. Ndërsa Vllaznia nga ana e saj, mbrohet mirë dhe mundohet të shfrytëzojë kundërsulmin me shpejtësinë e Gilman Likës. Ndërkohë, që Tirana sulmon dhe nuk shënon, një gjë të tillë do ta bëjnë miqtë në gjuajtjen e parë në drejtim të portës kundërshtare. Çinari nga një distancë e largët lëshon një silurë dhe Edvan Bakaj e ka të pamundur ta ndalë. Në kampin shkodran nis festa, ndërsa bardheblutë nuk i besojnë syve. Gjithsesi ata reagojnë, por pa arritur të shënojnë në këto 45 minuta të para.

Pjesa e dytë – Magani në fraksionin e dytë të lojës aktivizon Kalarin dhe Bakajn dhe pak më vonë Bulkun. Tirana është më agresive dhe tregon se nuk pajtohet me rezultatin. Goli nuk do të vonojë dhe në minutën e 61’ Bakaj kroson në zonë nga goditja dënimit dhe Muça e shtyn në rrjetë. Barazimi sjell qetësinë në stol, ndërsa sulmet e Tiranës shtohen dhe goli i fitores kërkohet me çdo kusht edhe për faktin se Vllaznia është me një lojtar më pak, pas daljes me kartonë të kuq të Beqirit. Minuta e 76’ do të sjellë edhe golin e dytë për Tiranën, ku pas një krosimi në zonë Ndikumana ul me kokë bukur për Muçën, i cili edhe njëherë tjetër tregohet vendimtar, duke shënuar dhe i dhënë Tiranës, trepikëshin e artë.

 

1 minutë heshtje

Futbllistët e Tiranës kanë dalë dje në fushë me fanella të zeza ku ishte stampuar foto e Geron Allkajn, tifozin e skuadrës bardheblu që ka humbur jetën në një aksident tragjik pak ditë më parë. Ndërkohë që është mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të tij edhe fitorja e djeshme i është kushtuar pikërisht ultrasit të ndjerë.

 

Tribuna VIP

Në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa”, kanë qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të skuadrës së Vllaznisë, si dhe ata të Tiranës. Ndërkohë që nuk ka munguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.